Ushtarët e KFOR-it të lënduar në Zveçan, Pamjet: KALLXO.com
KFOR-i: Prapa protestave të dhunshme në Zveçan qëndronin grupe kriminale
Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Andrea Gallieni, ka deklaruar se ishte e qartë që prapa protestuesve serbë në Zveçan më 29 maj, qëndronin grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it.
“Ishte e qartë se aty njerëzit po përpiqeshin të protestonin në mënyrë paqësore. Por, ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale, që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”- ka thënë ai.
Sot, në një konferencë për media, Gallieni, i ka komentuar ngjarjet që kanë ndodhur në veri të Kosovës, prej 29 majit.
“KFOR-i ishte aty për të parandaluar përshkallëzim të mëtejmë të protestës dhe më 29 në një komunën e Zvçanit ndodhi një protestë e madhe. Ushtarët e KFOR-it u përfshinë në protestën e dhunshme”- ka thënë tutje ai.
Sipas KFOR, të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet hakmarrëse. Sepse, siç e kanë dëshmuar edhe këto ngjarje, gjithçka mund të përshkallëzohet në nivel të madh të dhunës, prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha palët t’i kenë parasysh pasojat dhe rreziqet e veprimeve të tyre”- ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se KFOR aktualisht është duke monitoruar situatën, të gatshëm për të reaguar ndaj çdo përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.
Më 29 maj 30 ushtarët të KFOR-it mbetën të lënduar pas përleshjes më protestuesit serbë në Zveçan. Protestuesit kanë hedhur mjete shpërthyese në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këto sulme. KFOR-i konfirmoi se se tre ushtarë ishin plagosur me armë zjarri.
Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ata po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar edhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative dhe që Policia e Kosovës të tërhiqen nga objektet komunale.
Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.
Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i zhvendosë zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.
Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e kaluar e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.