KFOR-i mirëpret vendimin për largimin e barrikadave

KFOR-i ka mirëpritur vendimin për të larguar barrikadat nga veriu i Kosovës.

“KFOR-i mirëpret vendimin e mbrëmshëm për të larguar barrikadat në veri të Kosovës. Largimi i tyre duhet të bëhet shpejt, në mënyrë të sigurt, duke shmangur çfarëdo lloji të incidenteve apo rreziqeve” – thekson misioni i NATO-s në Kosovë.

Në postimin në Twitter po ashtu thuhet se KFOR-i po monitoron zhvillimet nga afër dhe po qëndron vigjilent dhe i gatshëm për të intervenuar nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin bazuar në rezolutën 1244 të vitit 1999.

“Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm” – ka thënë KFOR-i.

Për largimin e këtyre barrikadave KFOR-i kishtë kërkuar kohë që t’i largonte. Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se “kjo kohë po shteron me shpejtësi” dhe se nëse KFOR-i nuk e bën këtë atëherë “ne do të duhet ta bëjmë atë”.

Largimin e barrikadave e ka mirëpritur edhe Ambasada e Francës në Kosovë.

Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell lidhur me këtë ka thënë se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Kamionët e vendosur të cilët kanë bllokuar qarkullimin në Rudarë kanë filluar që të largohen sot pasdite.

Largimi i tyre ka ardhur pas takimit që presidenti i Serbisë e ka mbajtur mbrëmë në Rashkë, ku u premtua që brenda 24 deri në 48 orë do të largohen barrikadat.

Bllokimi i rrugëve të veriut erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste.

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë dhe ndaj policëve të Kosovës.

Më 28 dhjetor, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Pantiqit iu zëvendësua masa e paraburgimit me atë të masës së arrestit shtëpiak.