Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR-i komenton lejimin që kryetarët në veri të vendoseshin në objekte komunale

Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni teksa ka folur sot për situatën e krijuar në veri ka thënë se ishte veprim anësor i institucioneve të Kosovës që të lejoheshin kryetarët e komunave të marrin detyrën në objekte komunale.

“Ishte një veprim anësor i vendosur nga institucionet i Kosovës që të liheshin kryetarët e komunave të marrin detyrën duke përdorur edhe forcën”- ka deklaruar ai.

Teksa ka folur për koordinimin me Qeverinë e Kosovës ai ka sqaruar se komandanti i KFOR në vazhdimësi ka kontakte me institucionet e Kosovës

“Komandanti i KFOR-it është vazhdimisht në kontakt me të gjithë aktoret që do të thotë se është në kontakt me institucionet e Kosovës”- ka shtuar ai.

Sot Gallieni ka deklaruar se ishte e qartë që prapa protestuesve serbë në Zveçan më 29 maj, qëndronin grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it.

“Ishte e qartë se aty njerëzit po përpiqeshin të protestonin në mënyrë paqësore. Por, ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale, që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”- ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se KFOR aktualisht është duke monitoruar situatën, të gatshëm për të reaguar ndaj çdo përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.

Më 29 maj 30 ushtarët të KFOR-it mbetën të lënduar pas përleshjes më protestuesit serbë në Zveçan. Protestuesit kanë hedhur mjete shpërthyese në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këto sulme. KFOR-i konfirmoi se se tre ushtarë ishin plagosur me armë zjarri.

Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ata po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i zhvendosë zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e kaluar e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.