Foto: Kallxo.com

KFOR-i jep sqarime për praninë e automjeteve dhe ushtarëve të misionit në oborrin e një kopshti fëmijësh në Leposaviq

Gjatë ditës së sotme media të ndryshme raportuan se pjesëtarë të KFOR-it ishin futur në oborrin e një kopshti fëmijësh në Leposaviq.

Lidhur më këtë, në një deklarim për KALLXO.com, misioni paqeruajtës bëri të ditur se Komanda Rajonale Lindore nga SHBA, gjatë një detyre, ka hyrë aksidentalisht në një parking të një kopshti në Leposaviq.

“Sot patrulla e KFOR-it – Komanda Rajonale Lindore nga SHBA-ja ka kryer një detyrë operative të sigurisë dhe aksidentalisht ka hyrë me veturat e saj në një parking të një kopshti në Leposaviq. Derisa janë përpjekur të arrinin në pikën e rekomanduar të vëzhgimit, rastësisht u kthyen në rrugën e gabuar, e cila doli rrugë pa krye”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, KFOR potencon se kanë kërkuar që të futeshin në parking të kopshtit për të bërë kthim prapa pasi ishin futur në rrugë të gabuar.

“Duke qenë se rruga përfundoi papritur, ata kërkuan të futeshin në parkingun e kopshtit pranë për t’u kthyer nga kishin ardhur. Për shkak të pengesës gjuhësore, patrulla nuk ishte në gjendje të komunikonte qëllimet e tyre të pafajshme për të kërkuar hapjen e portës që ata të kthenin automjetet e tyre. Ndodhia aksidentale dhe konfuzioni zgjati më pak se 10 minuta në total”- thuhet më tej nga KFOR.

Në përgjigjen e KFOR-it potencohet se për shkak të ngjarjeve të një dite më parë, një ushtar me pushkë doli në parking për të ndihmuar shoferin dhe nga pamundësia për komunikim, ka pasur përceptim të frikshëm nga stafi i kopshtit i cili po ashtu trembi disa fëmijë në shkollë.

“Për shkak të rritjes së qëndrimit në mbrojtje nga ngjarjet që ndodhën një ditë më parë me pajisje shpërthyese në dhe rreth komunave përreth, një ushtar i veshur me parzmore dhe me pushkë doli nga automjeti në parking për të ndihmuar shoferin dhe për të parandaluar çdo dëmtim të pronës apo automjeteve përreth shkollës. Me pamundësinë për të komunikuar në mënyrë efektive atë që po bënin, pati një perceptim të frikshëm nga stafi i kopshtit, i cili gjithashtu trembi disa nga fëmijët në shkollë”- shtoi KFOR.

KFOR kërkoi ndjesë për keqkuptimin e krijuar dhe pengesat e shkaktuara.

“Na vjen keq për çdo keqkuptim dhe kërkojmë ndjesë nëse kemi penguar aktivitetet e kopshtit. Ne duam t’i sigurojmë të gjithë se KFOR-i do të veprojë dhe po vepron gjithmonë për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës”- deklarojnë nga KFOR-i

Mediat serbe e kanë publikuar informacionin pa e marrë edhe sqarimin e KFOR-it.

.