Ilustrim KFOR - Veri - 27.09.2021

KFOR-i e konfirmon se po heton incidentin e të shtënave me armë zjarri në afërsi të patrullës së tyre

Të shtënat me armë zjarri të dielën në mbrëmje në Zubin Potok, afër një patrolle të KFOR-it janë bërë subjekt i hetimit nga KFOR, kanë njoftuar këtë të fundit përmes një komunikate për media.

KFOR ka konfirmuar sot gjatë ditës se po heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it.

“KFOR-i po heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it të NATO-s. Incidenti me persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve” – thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën.

Më tej në njoftim, KFOR ka kërkuar që palët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve.

“Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut” – thuhet në mes tjerash në reagimin e KFOR-it.

Sipas komunikatës, kreu i këtij misioni të udhëhequr nga NATO në Kosovë, mbështet dialogun për uljen e tensioneve.

“Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.”-thuhet në komunikatë

Tutje, KFOR-i ka njoftuar se ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit.

“Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen me dialog”.

Të dielën në mbrëmje u konfirmua se ka pasur të shtëna me armë zjarri në Zubin Potok, në afërsi të një patrulle të KFOR-it, por që nuk ka pasur të lënduar dhe as dëme materiale.

Tashmë në zyrën e kryeministrit Albin Kurti është duke u zhvilluar një takim mes tij dhe komandantit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral major Angelo Michele Ristuccia.

Situata e barrikadave në veri, kryeministri Kurti në takim me komandantin e KFOR-it

KFOR: Kemi dëgjuar dhe parë të shtëna në rrethinën e Zubin Potokut