EULEX Bernjak

EULEX afër pikës kufitare Bërnjak, Foto: KALLXO.com

KFOR-i e EULEX-i të vendosur në dy pika në Bërnjak, po monitorojnë situatën

Kanë kaluar pesë ditë që kur zyrtarët policorë të Kosovës të nacionalitetit serb kanë ofruar dorëheqjet e tyre pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, Nenad Gjuriq.

Pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak janë duke funksionuar ani pse zyrtarët kufitarë serbë nuk janë në vendet e tyre të punës.

Këto dy pika po funksionojnë me njësitë policore kufitare ndërsa vetëm pak më poshtë janë vendosur edhe njësi të tjera policore speciale të cilët kanë marrë detyrë që të mbikëqyrin situatën e cila po ndodh në veri të Kosovës.

kufi bernjak policia
Njësia Speciale Kufitare e vendosur pak metra larg kufirit Bërnjak, Foto: KALLXO.com

Përveç Policisë së Kosovës, në pikën kufitare Bërnjak janë parë edhe ekipe të KFOR-it e EULEX-it.

Dy vetura të EULEX-it janë parë në afërsi të vijës së gjelbër, pra në vendin ku qëndrojnë Njësia Speciale Kufitare.

KFOR-i është stacionuar në urën e fundit që të dërgon për në Bërnjak.

KALLXO.com po qëndron në afërsi të pikës kufitare Bërnjak gjatë ditës së sotme dhe po përcjell zhvillimet në atë zonë.

Gjatë ditës së sotme sipas informacioneve në këtë pikë nuk ka pasur ndonjë incident të raportuar.

Sot, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka dekoruar ish-drejtorin e Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq dhe shefin e operativës në veri, Aleksandar Filipoviq.

Javën e kaluar është suspenduar Nenad Gjuriq, nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, pas refuzimit dhe rezistencës për të lëshuar fletëqortime për pronarët e veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Këto veprime Gjuriq dyshohet se i kreu pasi nuk pranoi që të shqiptoj fletë-qortime për qytetarët serb të cilët funksionojnë në veri të Kosovës me targa ilegale.