KFOR-i dhe FSK-ja e vlerësojnë stabile situatën e sigurisë në Podujevë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka shqyrtuar situatën e sigurisë dhe gjendjen me pandeminë Covid-19 në komunë.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në këtë mbledhje të cilën e kryesoi kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe është informuar lidhur me gjendjen e pandemisë Covid-19 dhe ka miratuar planin e punës së KKSB për vitin 2021 dhe informatën për aktivitetet e KKSB për vitin 2020.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, major Isak Ejupi, ka thënë se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë.

Komandanti Ejupi, duke raportuar për gjendjen e sigurisë ka thënë se në periudhën e fundit është shënuar rënie të veprave të penale kundër pasurisë-vjedhjeve.

Ndërsa, shqetësuese komandanti Ejupi e paraqiti rritjen e aksidenteve në komunikacion, për çka tha se do të ndërmarrin masa parandaluese duke shtuar patrullimet e policisë në rrugë.

Ai gjithashtu tha se me qëllim vetëdijesimit dhe parandalimit të përdorimit të substancave narkotike janë duke u mbajtur ligjërata nëpër shkolla.

Gjendjen e sigurisë në territorin e komunës së Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së. RTK