KFOR-i dhe EULEX-i bëhen bashkë në ushtrimin dy ditor për reagime të shpejta

Një ushtrim dy ditor, i quajtur “Ndërmarrja e Përbashkët”, përfundoi sot në Prishtinë në kuadër të bashkëpunimit për siguri në Kosovë në mes të misionit të NATO-së, KFOR-it, dhe Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX-it).

“Personeli i Batalionit Taktik Rezervë të KFOR-it dhe Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe kanë ushtruar së bashku me EULEX-in për të mbajtur standarde të larta të reagimit dhe mbështetjes për policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga KFOR.

“Qëllimi i ushtrimit ka qenë të provojnë nivelin e gatishmërisë në menaxhimin e situatave emergjente dhe procedurat e komandës dhe kontrollit dhe komunikimit. “Ndërmarrja e Përbashkët” përbëhej nga testet teorike dhe praktike dhe simulimeve reale të kontrollit të turmave dhe trazirave në bazën e karabinierëve të KFOR-it italian në Prishtinë me përfshirje të më shumë se 100 pjesëmarrësve”, thuhet tutje në njoftim.

Në njoftim, gjithashtu thuhet se, KFOR-i është i gatshëm që të marr masat e nevojshme për të mbajtur ambientin e sigurt në Kosovë.

“Misioni i udhëhequr nga NATO-ja, KFOR-i, është për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, sipas mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i është i gatshëm që të përvetësoj masa të nevojshme për mbajtur Kosovën të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe EULEX-in, për të mirën e të gjitha komuniteteve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.