KFOR-i në veri, 29 maj 2023 Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

Tensionet në veri, vjen reagimi i KFOR-it

Që nga orët e para të mëngjesit, serbë lokal në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë nisur protestë kundër vendosjes së kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pranë objekteve komunale, përveç njësiteve nga Policia e Kosovës, të hënën janë parë edhe ushtarë të Misionit të NATO-së në Kosovë, KFOR.

Në një komunikim zyrtar, KFOR-i tha se po vëzhgon nga afër situatën dhe ka shtuar praninë në veriun e vendit.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë. Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999” – thuhet në komunikatë.

KFOR ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim.

Tutje, misioni i NATO-s në Kosovë tha se po mban komunikim me përfaqësues të të gjitha palëve.

“Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme” – thuhet tutje në njoftim

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar” – thotë KFOR.

Në fund, KFOR-i  kërkoi nga Serbia dhe Kosova që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.

Të gjitha lajmet dhe zhvillimet e fundit në veriun e vendit mund t’i lexoni duke klikuar KËTU.