KFOR-i asgjëson granatën e dorës të hedhur në zyrën e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut

Një granatë dore, e cila ishte hedhur në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut është tërhequr nga ekipet e KFOR e më pas është shpërthyer në një ambient i cili nuk paraqet rrezik për qytetarët.

“Neutralizimi” i granatës ndodhi pak pas orës 22:00.

Ekipi i KALLXO.com pak orë më parë ka qenë në vendin e ngjarjes ku ishte gjetur granata e dorës.

Fillimisht ajo për disa orë ka qëndruar në zyrën e KKZ-së pasi nuk ishte identifikuar.

Tutje siç mëson KALLXO.com ekipet e EULEX-it dhe hetues policorë kishin arritur ta identifikojnë granatën dhe rrethuan vendin e dyshuar për mjetin shpërthyes.

Tensione sot pati në veri të Kosovës pasi qytetarët serbë për të kundërshtuar shkuarjen e zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve brenda zyrave të komisioneve komunale gjuajtën ‘shock bomba’, si dhe pati edhe të shtëna me armë zjarri.

Zyra e KKZ-së në veri të Mitrovicës është demoluar dhe është jashtë funksionit.

Deri më tani Policia nuk ka njoftuar për ndonjë person të identifikuar ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha sot se këto tensione nisën nga grupet kriminale.