Foto: Kosovo Force-KFOR

KFOR dërgon një foshnje dymuajshe nga Prishtina për trajtim në Itali

Falë KFOR-it dhe Komandës italiane të Operacioneve të Përbashkëta, një avion i Forcave Ajrore ka transportuar foshnjën dymuajshe, Irena, e cila vuan nga një sëmundje shumë e rëndë në zemër, së bashku me nënën e saj, nga Prishtina në spitalin “Monaldi” në Napoli, ku një ekipi i specializuar mjekësor do të kujdeset për të.

KFOR përmes një njoftimi bëri të ditur se karabinierët e Regjimentit të MSU-së – Njësia e Specializuar Shumëkombëshe, pjesë e KFOR-it, aktivizuan Ambasadën italiane në Prishtinë dhe Komandën italiane të Operacioneve të Përbashkëta për të finalizuar shpejt bashkëpunimin e ofruar nga Spitali “Monaldi”, i njohur si qendër e ekselencës për patologjitë neonatale.

Derisa, instituti fetar “Povere Figlie della Visitazione di Maria” në Napoli do të presë nënën e foshnjës për gjithë periudhën e trajtimit.

KFOR në njoftim thekson se gjesti konkret dhe domethënës ndihmon në konsolidimin e marrëdhënieve të miqësisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërmjet misionit të NATO-s (KFOR), institucioneve italiane dhe Kosovës.