KFOR deklarohet për situatën në veri të Kosovës

Që nga e hëna, kur Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë brenda territorit të Kosovës, në veri të Kosovës banorët vendosën t’i bllokojnë rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në këtë zonë tashmë janë vendosur edhe forcat e rendit të Policisë së Kosovës, të cilat janë angazhuar për të siguruar rendin publik.

Në një përgjigje për KALLXO.com, misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka thënë se po vazhdon të kryejë mandatin e tij për të siguruar mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë.

“Ne nuk diskutojmë detaje të operacioneve. Misioni i KFOR -it i drejtuar nga NATO vazhdon të kryejë çdo ditë mandatin e tij- sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt të lëvizjes së lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e KFOR.

Sot gjatë ditës mediat serbe raportuan për tensionim të situatës dhe “rrahjen e tre personave nga Policia e Kosovës”.

Por, raportimet e mediave serbe i demantoi Policia e Kosovës përmes një sqarimi për media.

 

Policia demanton lajmin e medias serbe për “dhunën” në Bërnjak

www.kallxo.com