Pallati i Drejtësisë, Prishtinë. Foto: BIRN.

KF Vitia dërgon padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve në FFK

Klubi i futbollit “Vitia” ka dorëzuar sot gjatë ditës një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër mbajtës së zgjedhjeve për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, që pritet të mbahen me 6 prill.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e klubit “Vitia”, Florent Emini, i cili e ka konfirmuar padinë, por nuk ka treguar detajet.

“Po është vërtetë, që kemi dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në detaje nuk mund të flas, sepse janë avokatët të cilat janë të angazhuar dhe do të merren me rastin”, ka thënë Emini për KALLXO.com.

FFK-ja ka vendosur që me 6 prill të mbajë Kuvendin Zgjedhor për të zgjedhur të parin e FFK-së.

Lidhur me këtë vendim ka pasur reagime të shumta nga shumë akterë.

Eroll Saliu disa ditë më parë për KALLXO.com ka thënë se mbajta e kuvendit zgjedhor të FFK-së është jo ligjore.

FFK-ja në një përgjigje për KALLXO.com nuk e ka mohuar e as pohuar nëse është bërë shkelja e statutit në momentin kur është vendos që kuvendi zgjedhor të mbahet me 6 prill.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në një intervistë në “Kallxo Pernime” ishte shprehur se Ministria nuk përzihet në zgjedhjen e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Por nga Departamenti i Sportit për KALLXO.com thonë se pritet të ketë një takim me Ministrin rreth kësaj çështje.

Kandidat për të parin e FFK-së janë : Agim Ademi, Arianit Ahemeti, Remzi Ejupi dhe Nexhat Duminica.