Foto: Urim Kransiqi/KALLXO.com

Këto pritet të jenë masat e reja kundër COVID-19, kthehet ora policore nga ora 22:00

Qeveria e Kosovës pritet të miratojë masat e reja kundër COVID-19 pas rritjes së numrit të rasteve pozitive.

Do të kthehet ora policore nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Shërbimet e gastronomisë do të lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00 kurse muzika do të lejohet vetëm deri në orën 20:30.

Në vendim thuhet se shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% të kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% të kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

Do të ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë.

Po ashtu pritet të mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive.

Vendimi do të hyjnë në fuqi më 22 janar 2022, dhe vlen deri më datën 4 shkurt 2022.