Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj

Këto janë top destinacionet turistike në Kosovë

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj në “Kallxo Përnime” ka bërë të ditura se cilat janë pesë top-destinacionet më të vizituar në Kosovë nga turistët.

Sipas tij, në këtë listë renditet Prizreni “si kryeqendër e shqiptarëve qoftë në aspektin nacional dhe për shkak të trashëgimisë kulturore, për shkak monumenteve historike”.

“Kjo është edhe për shkak se brenda qytetit të Prizrenit përballë njëra-tjetrës është një kishë dhe një xhami. Pra, për Prizrenin ka çka flitet”, tha ai.

Kurtishaj shtoi se destinacione të tjera janë edhe Boga, Rugova, Prevalla dhe Brezovica, si edhe Artana me Kalanë e Novobërdës.

Kurtishaj shtoi se në Kosovë jo që nuk ka vende për të vizituar, por sipas tij puna është që sa kanë bërë institucionet e vendit prej pas luftës për të krijuar kushte dhe ambiente të përshtatshme për t’u zhvilluar turizmit.

Ndërsa, Zekë Çeku ekspert i turizmit tha se vendi i cili vizitohet më së shumti dhe ka numër më të madh të ardhjeve është Prishtina.

“Shumica e njerëzve që vijnë në Kosovë, grupet, individët, të gjitha format e ardhjeve në Kosovë është Prishtina”, theksoi ai.

I pyetur se çka vizitohet në Prishtinë,  Çeku theksoi se në kryeqytet në radhë të parë vijnë njerëzit për shkak të aeroportit, lehtësisë së arritjes.

“Në Prishtinë bëhet vizitat një-ditore më shumë, trashëgimia kulturore ajo që ka mbetur. Së pari është shëtitorja, sheshi “Nëna Terëzë”, makiatoja promovohet si më e mira në botë, vizitohet monumenti i Skënderbeut, Ibrahim Rugovës, objektet e Qeverisë dhe Kuvendit. Vizitohet edhe Muzeu Etnologjik i Prishtinës, i cili tash e tri vjet s’po mund të rregullohet, vetëm një pjesë vizitohet. Vizitohet edhe Biblioteka Kombëtare, Katedralja, Gërmia”, tha ai.

Kurse, Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës theksoi se falë sektorit privat në Kosovë ka turizëm.

“Potencialet janë Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit dhe pjesë të tjera”, tha Sogojeva.

Sipas tij, gjatë vitit 2018-2019 sektori privat i ka tërhequr vetëm në hyrje-dalje 2 milion turistë.

“Diaspora është target i joni”, tha ai.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për turizmin në Kosovë.