Këto janë shumat që shteti i Kosovës do t’ia paguajë si dëmshpërblim ish-guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi

Gjykata e Prishtinës ka aprovuar si pjesërisht të bazuar kërkesë-padinë e paditësit Hashim Rexhepi sa i përket dëmit jomaterial.

Sipas këtij vendimi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do ta dëmshpërblejë ish-guvernatorin e BQK-së për dhimbje shpirtërore dhe për shkelje të nderit apo dëmtimit të integritetit dhe personalitetit.

Kështu, Gjykata ka vendosur që KGjK detyrohet që Hashim Rexhepit t’ia paguajë shumën në emër të dhimbjeve shpirtërore – vuajtjeve psikike të intensitetit të lartë për shkak të privimit të pabazë të lirisë dhe qëndrimit në paraburgim për 117 ditë, për secilën ditë nga 200 €, gjithsej shumën 23,400.00 euro, në emër të dhembjeve shpirtërore – vuajtjeve psikike të intensitetit të mesëm prej periudhës së ndërprerjes së paraburgimit e deri në pushimin e procedurës penale, nga data 23.11.2010 deri me datën 11.01.2011, gjithsej 49 ditë, për secilën ditë nga 100 euro, gjithsej shumën 4,900.00 euro, për shkak të shkeljes së nderit, dëmtimit të integritetit dhe personalitetit, për shkak të rrënimit të prestigjit, dëmtimit të imazhit dhe reputacionit, nga data e arrestimit 23.07.2010 deri më datën e pushimit të procedurës 11.01.2011, gjithsej 172 ditë për secilën ditë nga 100 euro, gjithsej shumën 17,200.00 euro apo në tërësi shumën totale për pikën I të dispozitivit 45.500.00 €, me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në banka pa destinim të caktuar, duke u përllogaritur nga data e marrjes së aktgjykimit deri në pagesën definitive.

Ndërsa, Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar kërkesë-padinë e paditësit për kompensimin e dëmit jomaterial me kamatë ligjore përtej shumave të gjykuara si në pikën I të dispozitivit.

Kurse kërkesë-padia e Hashim Rexhepit për kompensimin e dëmit material është aprovuar në tërësi, që  t’ia paguajë shumën si në vijim:

  1. Për shkak të pushimit të tij nga puna në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) në datën

23.07.2010 e deri në skadencën e mandatit si guvernator, datë 26.03.2013, në emër të fitimit

të humbur nga të ardhurat personale të parealizuara dhe benifiteve tjera përcjellëse. Në emër të pagave neto të papranuara, shumën 109,834.00 euro.

Në emër të kontributit pensional të papaguar, shumën 12,846.00 euro, shumë kjo e cila duhet të transferohet në Trustin e Pensioneve në emër të paditësit Hashim Rexhepi.

Në emër të tatimit në pagë të papaguar, shumën 12,204.00, shumë kjo e cila duhet të transferohet në Administratën Tatimore të Kosovës, në emër të kursimeve në sigurimin slloveno – kosovar, kontributin në shumën 15,543.00 euro.

  1. Në emër të shpenzimeve të procedurës penale, shumën sipas faturës në lartësi 8,380.00 €

apo në tërësi shumën totale për pikën III të dispozitivit 158.807.00 €.

Ndërsa, u refuzua kërkesë-padia e paditësit për kompensimin e dëmit material për përudhën prej

skadimit të mandatit të guvernatorit të BQK-së, datë 26.03.2013, deri me datën 30.11.2019 që

t’i paguhen shumat si në vijim: 1. Diferenca neto në pagë në shumën prej 88,585.00 €, 2. Diferenca në emër të kontributit personal 17,588.00 €, 3. Diferenca në tatimin në pagë në shumën prej 16,708.00 €, 4. Diferenca në emër të kursimeve në sigurimin e slloveno – kosovar, në emër të  kontributit

shumën prej 29,796.00 €,  5. Kompensimin për shpenzimet e vizitave nga familjarët, shumën prej 15,000.00 €, 6. Në emër të pakove shumën prej 5,000.00 €,

E paditura detyrohet që shumat e gjykuara si në pikën I dhe III të dispozitivit të aktgjykimit t’ia paguaj paditësit si dhe shpenzimet e procedurës, në shumën 3,382.00€, të gjitha në afat prej 15 ditësh, nga marrja e aktgjykimit.

Sipas padisë, Rexhepi, në paraburgim ka qëndruar nga 23 korrik deri më 23 nëntor të vitit 2010, pas masës së paraburgimit ndaj paditësit janë shqiptuar edhe masat tjera të sigurisë siç janë dorëzania dhe masa e paraqitjes në stacionin policor  deri më 16 shkurt 2011. Në padi thuhet se paditësi në bazë të vendimit të ish-Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të nxjerr më 11 janar 2011, është liruar nga aktakuza dhe nga kjo del përfundimi se ndaj paditësit është zhvilluar procedurë pa bazë ligjore, gjë që përfaqëson bazë ligjore për dëmshpërblim. Bazuar në padi zhvillimi i procedurës kundër paditësit, qëndrimi në paraburgim, dhënia e dorëzanisë si dhe masa e paraqitjes në stacionin policor, kanë bërë që paditësi të pësojë dëm të konsiderueshëm material dhe moral, ku nga ky dëm atij iu kishte mbyllur karriera si dhe konsiston në humbjen e pagës për punën që ai e bënte ashtu edhe në fitimin e humbur sidomos në pamundësinë që për shkak të këtyre masave është pamundësuar që ai të realizojë të ardhura.

Po ashtu, në padi thuhet se KGJK paditësit i ka bërë ofertë për ujdi jashtëgjyqësore për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në shumën e përgjithshme prej 15,903.03 euro, ku kjo ofertë ishte konsideruar tejet e ulët nga paditësi dhe marrëveshja nuk ishte arritur. Me anë të kësaj padie ai po kërkon nga Gjykata që të detyrohet KGJK-ja që atij t’ia kompensojë dëmin material dhe jomaterial të shkaktuar për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij.

Paditësi Rexhepi kishte paraqitur padi më 27.03.2012 kundër të Paditurës  – Republika e Kosovës – Këshillin Gjyqësor në Prishtinë, për dëmshpërblim me të cilën Padi kishte theksuar se PPaditësi Rexhepi kishte qenë i emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore

të Kosovës. Këtë detyrë Paditësi e ka ushtruar deri më datën 23 korrik të vitit 2010. Ushtrimin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të BQK-së paditësit iu kishte ndërprerë dhe pamundësuar nga shkaku se kundër të njëjtit ishte caktuar masa e paraburgimit nga data 23 korrik të vitit 2010.

Masa e paraburgimit Paditësit ishte caktuar nga shkaku se kundër të njëjtit ishte zhvilluar një procedurë penale sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori special i Kosovës dhe atë sipas aktakuzës nr. i regjistrimit PPS.nr.64/10 për disa vepra penale të shënuara ne vetë aktakuzë. Po ashtu ka theksuar se masa e paraburgimit ishte caktuar në aktvendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake nr.158/10 në kohëzgjatje prej 1 muaji dhe e njëjta ishte vazhduar kështu që paditësi kishte qëndruar në paraburgim nga data 23 korrik 2010 e deri më 23 nëntor të vitit 2010.

Pas masës së paraburgimit paditësit i ishin shqiptuar masat e tjera të sigurisë dhe atë dorëzania dhe masa e paraqitjes në stacionin policor dhe atë deri me 16 shkurt të vitit 2011. Paditësi në bazë të aktvendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë KA.nr.547/11 të datës 11.01.2011  ishte liruar nga aktakuza, andaj përfundimi sipas padisë së paditësit i është zhvilluar procedurë penale pa bazë ligjore gjë që përfaqëson bazë ligjore për dëmshpërblim.

Zhvillimi i procedurës penale kundër paditësit, qëndrimi në paraburgim, dhënia e dorëzanisë dhe masa e paraqitjes në polici kanë bërë që paditësi të pësojë dëm të konsiderueshëm material dhe moral. Dëmi material të cilin e ka pësuar paditësi ka të bëjë me humbjen e pagës në punë si dhe fitimin e humbur, mbajtja e paditësit në paraburgim dhe duke iu nënshtruar masave te tjera procedurale te cekura më lartë e ka penguar paditësin që në të ardhmen te realizojë te ardhura. Paditësi përmes të autorizuarit të tij pretendon se bazuar ne nenin 354.1 të KPP-së, dispozitë kjo e cila parasheh te drejtën e paraqitjes të kërkesës për kompensim të demit të pësuar për dënim të paarsyeshëm i është drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës me kërkesë për dëmshpërblim. Paditësi ka pretenduar se me Këshillin Gjyqësor të Kosovës nuk kanë arritur që të bëjnë një ujdi lidhur me lartësinë e kompensimit të demit material dhe të fitimit të munguar. Kjo Padi sipas palės paditëse është paraqitur si rezultat i mosarritjes së një marrëveshje jashtëgjyqësore për dëmshpërblim mirëpo kthimi ne gjendjen e mëparshme është i pamundur si detyrim primar i shkaktuesit të dëmit i paraparë me nenin 185 al.1 të LPK-së, atëherë paditësi ka parashtruar kërkesë që dëmi sa i përket dëmit material të kompensohet duke u detyruar e  paditura ta kompensojë çdo fitim të humbur dhe shpenzim të bërë lidhur me procedurën penale, ndërsa sa i përket dëmit moral t’i paguan shumat e shënuara si statisfaksion për pasojat e shkaktuara me zhvillimin e kësaj procedure penale.

Kurse përfaqësuesi ligjor i Hashim Rexhepit, avokati Adnan Pacolli deklaroi për KALLXO.COM se ka pranuar aktgjykimin nga Gjykata e Prishtinës dhe se nuk janë të kënaqur me aktgjykimin.

“Unë si i autorizuar i paditësit Hashim Rexhepi kam pranuar aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Me aktgjykimi nuk jemi të kënaqur për faktin se shumat e gjykuara në emër të dëmit jomaterial janë shumë të vogla në proporcion me dëmet që i janë shkaktuar paditësit”, tha avokati Pacolli.

Ai po ashtu tha se shuma prej 45,500.00€ nuk paraqet një satisfaksion për paditësin.

“Pas analizimit të aktgjykimit rezulton se gjykata e shkallës së parë i ka ngatërruar kategoritë e dëmit jomaterial dhe për të gjitha kategoritë e demit jomatrial ka gjykuar shumën prej 45.500.00€. Kjo shumë e gjykuar për mënyrën se si është arrestuar paditësi ku nga zyra e tij nxirrej paditësi me duar të lidhura në prani të mediave të cilat bënin transmetimin direkt të arrestimit ende janë të freskëta dhe kjo shumë as për se afërmi nuk paraqet nje satisfaksion për paditësin”, tha avokati Pacolli.

Avokati Pacolli shtoi se Gjykata me rastin e vendosjes për lartësinë e kërkesë-padisë është dashur të ketë parasysh pozitën e paditësit, reputacionin, autoritetin, imazhin e prestigjin e tij në vend e në shoqëri.

“Gjykata me rastin e vendosjes për lartësinë e kërkesë-padisë është dashtë të ketë parasysh pozitën e paditësit, reputacionin, autoritetin, imazhin e prestigjin e tij në vend e në shoqëri. Pozita e guvernatorit është ekuivalente me pozitën e presidentit të vendit ndaj shumat e gjykuara pos që janë të papranueshme për paditësin paraqesin edhe një nëpërkëmbje për pozitën dhe institucionin në tërësi” shtoi avokati Pacolli.

Ai tha se për të gjitha këto në afatin ligjor do të paraqesin ankesë pranë Gjykatës së Apelit.

“Bazuar në gjitha këto në afatin ligjor do të paraqesim ankesë pranë Gjykatës së Apelit duke kërkuar që shumat e gjykuara për demin jomaterial të ndryshohen dhe që paditësi në emër të dëmit jomaterial për të gjitha kategoritë të kompensohet konform precizimit të kërkesë-padisë të cilën e kemi dorëzuar në Gjykatë”, tha ai.