Ilustrim

Këto janë shkollat që e bojkotuan grevën e thirrur nga SBAShK-u

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se cilat shkolla nuk e kanë zbatuar grevën dy orëshe për Ligjin për Paga.

Përmes një njoftimi për media kjo sindikatë ka thënë se 1116 institucione arsimore, në grevë nuk kanë marrë pjesë vetëm 15 shkolla.

“Në Malishevë  shkolla “Migjeni” Lubizhdë, shkolla “Petro Nini Laurasi” Llapçevë,   në Kastriot (Obiliq) shkolla “Fazli Grajçevci” Hade, shkollat “Faik Konica”, “Hasan Prishtina”, Ismail Qemajli” dhe “Iliria” Prishtinë, shkolla “Sejdi Kryeziu” Rogoqicë dhe “Asllan Thaqi”  Kariqevë të Kamenicës. Në Kaçanik shkolla “Emin Duraku”, në Gjilan- “Nazim Hikmet” Dobërçan, në Deçan shkolla “Maxhun Çekaj” Irzniq, shkollat “Dëshmorët e Tivarit” në Peqan ,”Drita“ në Gelanc të komunës së Suharekës, që në përqindje i bie 1.35%”, ka bërë të ditur SBAShK.

“Nuk ishte në grevë edhe shkolla speciale në Mitrovicë, por përkrahë grevën. Për këtë institucion SBASHK-u ka mirëkuptim për arsye të natyrës së veçantë të punës atje”, kanë shtuar ata.

Kurse, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj tha për KALLXO.com se ditën e hënë nuk do të ketë grevë dhe mësimi do të vazhdojë me orar të rregullt.

“Ditën e hënë do të zhvillohet mësimi me rregull do të vazhdojë mësimi dhe nuk do të ketë grevë, kjo do të vazhdojë deri në ndonjë vendim tjetër të Këshillit Drejtues të SBAShK”, ka thënë.

KALLXO.com raportoi më herët se Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk e ka zbatuar vendimin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë që të mbajnë sot grevë për Ligjin për Paga.

Mësimdhënësit e kësaj shkolle sot mësimin e kanë filluar me rregull, por ka pasur mungesë të nxënësve.

Dje, SBAShK ka njoftuar se sot mësimdhënësit do të mbajnë grevë dy orëshe pasi që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionit të Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

SBAShK-u para se të miratohej ky ligj kishte mbajtur grevë tri javëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre. Orët e humbura të kësaj greve nuk u zëvendësuan plotësisht pavarësisht se MAShT-i kishte marrë vendim që ato të kompensohen.