Këto janë milionat e parapara të Qeverisë Kurti për Istogun

Të dielën pas mesnate, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi buxhetin e propozuar nga Qeveria Kurti për vitin 2020.

Kjo Qeveri ka paraparë që nga buxheti prej 2 miliardë e 356 milionë e 860 mijë e 914 euro, t`i shpenzoje në komunën e Istogut rreth 5 milionë euro.

Në kuadër të investimeve kapitale për nivelin qendror, Qeveria ka paraparë që të investojë 2.5 milionë euro në ndërtimin e skemës për furnizim me ujë në Komunën e Istogut.

Pjesë e planit qeveritar për komunën e Istogut janë edhe asfaltimi i rrugës “Livadhet e Istogut”, ndërtimi i qendrës së Istogut në rrugën “Ibrahim Rugova”, ndërtimi i kanalit të ujitjes në fshatin Staradran, rregullimi i hapësirave te ‘Burimi i Vrellës’, asfaltimi I rrugës “Llukavc i thatë’, ndërtimi i Palestrës së Sportit, ndërtimi i shkollës në Uqe, ndërtimi i Sallës së Sportit në Gurakoc, projekti i kanalizimit në Kaliqan, ndërtimi i memorialit në Oroberd, ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën Hysni Zajmi, riparimi i rrugës rajonale Istog – Pejë- Deçan – Gjakovë, si dhe ndërtimi i Parkut të qytetit.

Këto projekte pritet që për vitin 2020 t`i kushtojnë Qeverisë së Kosovës mbi 2 milionë euro.

Përpos investimeve kapitale në nivel qendror, Buxheti i vitit 2020 ka paraparë që të bëjë financimin e investimeve kapitale komunale për Istogun në vlerë 2,816,878.00 euro.

Për administratë dhe personel për komunën e Istogut, Qeveria ka paraparë investime në vlerë 85 mijë euro, për buxhet dhe financa ka ndarë 210 mijë euro, ndërsa për infrastrukturë rrugore ka ndarë 470 mijë euro.

Qeveria ka paraparë edhe ndarjen e buxhetit edhe për investimet për komunitete në Istog, duke i paraparë kështu 150 mijë euro.

Bujqësia në Istog do të përkrahet nga qeveria në vlerë 427 mijë euro ndërsa zhvillimi ekonomik me 560 mijë euro.

Për shëndetësi dhe mjedis në komunën e Istogut, qeveria ka paraparë që të shpenzojë 480 mijë euro, ndërsa në kulturë dhe arsim ka paraparë që të shpenzoje 414 mijë euro.

Buxheti i Republikës së Kosovës u miratua në mëngjesin e hershëm të së dielës.

Buxhetin e votuan 63 deputetë.