Këto janë masat e reja anti-COVID që po i shqyrton Qeveria

Qeveria e Kosovës sonte është duke i shqyrtuar për miratim masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

KALLXO.com ka siguruar dokumentin me propozimin për këto masa.

Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve pritet të vazhdojë  të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00.

Sipas propozimit, bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative dhe ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

Tutje theksohet se pavarësisht numrit të personave, pritet të vazhdojë ndalimi i veprimtarisë së klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore,  në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Masat e njëjta pritet të vazhdojnë edhe për sektorin e gastronomisë. Në dokument thuhet se shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00, si dhe muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30.

Ministria e Shëndetësisë kishte paralajmëruar masa të reja për të frenuar përhapjen e coronavirusit, ndonë rastet e infektimeve kanë rënë gati në zero.

Ministria e Shëndetësisë në raportin 24 orësh ka njoftuar se një qytetar i infektuar me COVID-19 ka vdekur përderisa tetë qytetarë kanë rezultuar të infektuar.

Aktualisht në Kosovë janë 320 raste aktive me SARS-CoV-2.