Këto janë arsyet që MPJD nuk po e lejon Petar Petkoviqin të vizitojë Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se arsye e refuzimit të lejes për të vizituar Kosovën për shefin e të së ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq është për shkak të provokimeve dhe deklarimeve nxitëse që i ka dhënë në të kaluarën, pavarësisht garancioneve të dhëna paraprakisht se nuk do ta bënte.

“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit “universitetet” në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në përgjigje.

Nga MPDJ kanë deklaruar se ndalesa vlen vetëm për Petkoviq.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen”, thuhet në përgjigje.

Sot Zyra Serbe për Kosovën, ka njoftuar se i është ndaluar hyrja në Kosovë Petkoviqit.

Petkoviq në vizitën e paralajmëruar për të premten dhe të shtunën sipas kësaj zyre ishte paraparë të vizitojë disa subjekte afariste ku Serbia ka siguruar vende të reja pune si dhe të vizitojë disa familje në gjendje të rënd sociale dhe tu ofrojë ndihmë.

“Kjo është ndalimi i tretë i Prishtinës për drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Metohinë dhe negociatorin kryesor serb në dialogun teknik, dhe vjen përpara vazhdimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës javën e ardhshme në Bruksel, gjë që tregon gjithashtu edhe mosgatishmërinë e Prishtinës për normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin”, thuhet në njoftimin e zyrës.

Disa ditë më parë Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të premten  në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, kishte thënë ai.

Petar Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë