Këto janë arsyet e shkarkimit të Xhevdet Smakiqit sipas kryesueses së bordit të Postës

Gjatë ditës së sotme, bordi i Postës së Kosovës ka shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv, Xhevdet Smakiqin.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesen e bordit të Postës së Kosovës, Safija Besenin, e cila tregoi arsyet e shkarkimit.

Sipas saj vendimi erdhi pas shqyrtimit të procesit të emërimit të Smakiqit në krye të Postës.

“Procesi i cili sipas vlerësimit tonë ka qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe sidomos duke e marrë parasysh reputacionin e Postës se Kosovës, ne si bord vendosëm që ta bëjmë shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të Postës duke u bazuar dhe mbështetur në nenin 21 pika 1 te Ligjit për ndërmarrje publike”, tha Beseni për KALLXO.com.

Në lidhje me deklaratat e Smakiqit se për këtë vendim do t’i drejtohet gjykatës, Beseni tha se bordi ka vepruar konform ligjeve.

“Është e drejtë e tij që të ndjek te gjitha procedurat që ai mendon dhe vlerëson, ne jemi te bindur që kemi vepruar konform ligjeve në fuqi dhe kështu do të veprojmë çdoherë”, shton tutje Beseni.

Bordi i Postës së Kosovës ka marrë vendim sot për të shkarkuar kryeshefin e Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com vetë Smakiqi.

Ai në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com ka konfirmuar se është shkarkuar nga pozita e kryeshefit.

Ai ka deklaruar se zgjedhja e tij në pozitën e kryeshefit ka qenë sipas ligjit, derisa ka shtuar se për këtë vendim të bordit do të ankohet edhe në gjykatë.

KALLXO.com kishte raportuar se Smakiqi ishte zgjedhur kundërligjshëm në pozitën e kryeshefit të Postës së Kosovës.

Ish-kandidati për deputet zgjedhet kundërligjshëm kryeshef i Postës

Smakiqi ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2019 nga partia e Fatmir Limajt, ndërsa Ligji për ndërmarrjet publike kërkon që zyrtarët e lartë dhe bordi i ndërmarrjeve publike nuk duhet të kenë të kaluar politike në 36 muajt e fundit.