Pranvera Zejnullahu Raçi

Këto janë arsyet e dorëheqjes së u.d. drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi

Pranvera Zejnullahu-Raçi ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Burime jozyrtare të KALLXO.com konfirmojnë që Pranvera Zejnullahu Raçi ka dhënë dorëheqje për shkak se nuk ka pasur përkrahje nga Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, për të shtyrë përpara reformat e propozuara që kishin të bënin me digjitalizimin e resurseve humane, të barnave, të materialit shpenzues nëpër klinika etj.

Kjo shihet edhe në letrën përshëndetëse që Zejnullahu-Raçi i ka dërguar ajo sot stafit të saj, të cilën e ka siguruar KALLXO.com nga burime jashtë SHSKUK-së.

“Rrethanat e krijuara së fundmi e bëjnë të pamundur ecjen para të projekteve të disejnuara për periudhën kohore në vijim” – thotë letra dorëheqëse e Pranvera Zejnullahu-Raçit.

Zejnullahu-Raçi ishte gjinekologe dhe asistente në Fakultetin e Mjekësisë para se të bëhej u.d. drejtoreshë para gati 6 muajve.

Që nga atëherë pati rezistencë prej bordit të SHSKUK-së, bord ky që pati përplasje edhe me deputetë të Parlamentit nga radhët e LVV-së, lidhur me shumë çështje.

BIRN ka më shumë se një vit që kërkon për t’i monitoruar mbledhjet e bordit të SHSKUK-së por kjo gjë nuk është lejuar.

Më 25 janar BIRN i ka dërguar kërkesë zyrtare edhe ministrit Vitia për monitorimin e mbledhjeve të SHSKUK-së. Vitia ende nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë.

KALLXO.com gjithashtu i ka dërguar pyetje Vitisë se a ia ka kërkuar dorëheqjen Pranvera Zejnullahu-Raçit apo a ka treguar mospërkrahje ndaj reformave që ka nisur ajo, por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit.

Në vend të kësaj, ministri Vitia ka caktuar Narqize Arenliu Hoxhajn, e cila ishte drejtoreshë e Shëndetësisë e Vetëvendosjes në Prizren në kohën kur kryetar Komune ishte Mytaher Haskuka.

Kjo është letra e plotë e Pranvera Zejnullahu-Raçit që ka dërguar stafit të saj sot:

Jam shumë mirënjohëse për mundësinë që më është dhënë për të udhëhequr me institucionin më të rëndësishëm në sektorin shëndetësorë në vend, privilegj dhe sfidë që më ka mundësuar të rritem dhe zhvillohem në aspektin profesional.

Rrethanat e krijuara së fundmi e bëjnë të pamundur ecjen para të projekteve të disejnuara për periudhën kohore në vijim. 

Duke konsideruar se postet udhëheqëse janë për të shërbyer e asesi për t’u konsideruar si pozicione të falura dhe për të cilat duhet provuar ti mbajmë me çdo kusht, pa pasur asnjë mundësi zhvillimi të ideve, projekteve dhe objektivave konkrete, kam marrë këtë vendim i cili konsideroj është i vetmi opcion për momentin.  

Jam në dispozion për të dhënë ndihmën maksimale në fazën e tranzicionit.

Pranvera Zejnullahu-Raçi është sonte në intervistë në emisionin “KALLXO Përnime”, i cili transmetohet sonte nga ora 22:15 në RTV Dukagjini dhe në Kallxo.com.

Lidhur me këto zhvillime, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur në një emision në televizionin ATV. Ai ka thënë se mendon që Zejnullahu-Raçi ka pasur dhe ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm.

“Pas periudhës së pandemisë kur filluan dhe u stabilizuan shifrat dhe hymë në një fazë tjetër, mendoj që me entuziazmin dhe punën e saj i ka dhënë një dinamikë tamam si duhet gjendjes në shëndetësi brenda SHSKUK-së” – ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se nuk mundet Zejnullahu-Raçi për gjashtë muaj të ndërtojë sistem në SHSKUK. Vitia këtë e cilëson si të pamundshme.

“Ka qenë në një fazë transitore shumë delikate në të cilën besoj se me punën që e ka bërë ta kalojnë në mënyrën më të mirë këtë fazë” – tha ai.

Tutje Vitia ka thënë se ka pasur takime me të dhe se në dy – tri takimet e fundit Pranvera Zejnullahu-Raçi veçse e ka përmendur, sipas Vitisë, mundësinë që ndoshta do të largohet.

“E ka përmendur se mund të largohet për arsye se në një farë mënyre edhe e ka mbaruar misionin aty dhe dje ose sot ka dhënë dorëheqje” – ka thënë ai.

Vitia është pyetur edhe për emërimin e ri të u.d. drejtoreshës së SHSKUK-së, për të cilën ka thënë se doktoresha në fjalë nuk është anëtare e LVV-së.

(Artikulli është edituar, me ç’rast është përfshirë edhe deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia)