
Takimi mes presidentëve - Donald Trump, Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelensky, Foto: Volodymyr Zelensky/X
Këtë javë amerikanët mësyjnë Europën në kërkim të zgjidhjes për Ukrainën
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz ka thënë se gjatë kësaj jave anëtarët e lartë të Administratës do të takohen me zyrtarë europianë, në përpjekje për të gjetur shtegun sesi t’i japin fund luftës në Ukrainë – raporton të hënën, më 10.02.2025, Euronews.
Shtytja vjen pothuajse tre vjet pasi Rusia nisi pushtimin e në shkallë të plotë të fqinjit në shkurtin e vitit 2022.
Më pak se një ditë para këtij njoftimi, mediat amerikane raportuan se presidenti Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, ku diskutuan hapat drejt zgjidhjes së negociuar.
Nuk ka pasur asnjë konfirmim të menjëhershëm të përmbajtjes së bisedës: as nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga Kremlini.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, në një intervistë televizive nuk ka pranuar të komentonte.
Waltz ka theksuar se ekonomia ruse nuk po ecën mirë dhe se Trump “është i përgatitur të taksojë, të tarifojë, të sanksionojë” Moskën që ta shtyjë Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve.
Por, Waltz ka nënvizuar njashtu se Administrata Trump po mundohet të përdorë angazhimet e kësaj jave që nisin bisedimet për tërheqjen e një pjese të ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.
Ai ka thënë se aleatët europianë do të duhej gjithashtu të merrnin rol më të madh në mbështetje të Ukrainës në vazhdim.
“Ne duhet t’i rimbursojmë ato kosto dhe ky do të jetë një partneritet me ukrainasit për sa u përket burimeve të tyre natyrore, naftës dhe gazit të tyre.” – ka deklaruar Waltz në një paraqitje në “Meet the Press” të NBC-së.
“Ato biseda do të zhvillohen këtë javë. Dhe, unë mendoj se një parim themelor këtu është se europianët duhet ta zotërojnë këtë konflikt në vijim. Presidenti Trump do t’i japë fund. Dhe, pastaj për sa u përket garancive të sigurisë, kjo do të jetë punë e europianëve”.
Zëvendëspresidenti JD Vance do të qëndrojë në Paris më vonë të hënën në Samitin e Inteligjencës Artificiale që do të mbledhë zyrtarë qeveritarë dhe do të shkojë më vonë këtë javë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku presidenti Volodymyr Zelenskyy do të drejtojë delegacionin ukrainas.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe i dërguari special i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg do të marrin pjesë gjithashtu në Konferencën e Mynihut.
Hegsethi do t’i bashkohet të mërkurën Forumit kryesor Ndërkombëtar për Sigurimin e Armëve dhe Municioneve për Ukrainën.
Mbretëria e Bashkuar po organizon të mërkurën në selinë e NATO-s në Bruksel takimin e 26-të të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës – një Konsorcium prej rreth 50 vendeve partnere.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com