
Këta janë gjykatësit që do ta gjykojnë Salih Mustafën
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar gjykatësit që do ta trajtojnë rastin Salih Mustafës.
Në komunikatën për shtyp të Dhomave të Specializuara thuhet se gjykatësit në çështjen Mustafa do të jenë: Roland Dekers, Mapi Feld-Folia, Zhilber Biti, dhe Vladimir Mikula (rezervë).
Ky caktim u bë pas njoftimit prej gjykatësit të procedurës paraprake se dosja e plotë e çështjes prokurori i specializuar kundër Salih Mustafës (KSC-BC-2020-05) do të jetë gati për t‘i kaluar trupit gjykues më 7 maj 2021.
Tutje në njoftim thuhet se në pajtim me rregullën 116 dhe rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, pas marrjes së dosjes së çështjes trupi gjykues mban pa vonesë një konferencë përgatitore për gjykimin me palët, pas së cilës përcakton afatin për mocionet që mund të dorëzohen prej tyre para nisjes së gjykimit.
Çështja kundër Salih Mustafës është e para që do t‘i kalohet një trupi gjykues.
Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë.
Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.
Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve.
Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.
Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.
Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.