Këta janë gjashtë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit

Gjashtë prokurorë e kryeprokurorë të prokurorive të ndryshme në Kosovë kanë aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezit, të cilit i skadon mandati në prill.

Sipas KPK-së, të drejtën për aplikim e kanë shfrytëzuar kandidatët Arben Ismajli, ish-prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, tashmë prokuror në Prokurorinë e Apelit; Armend Hamiti – prokuror në Prishtinë; Blerim Isufaj – Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale, Kujtim Munishi – Kryeprokuror në Prishtinë si dhe Lulzim Sulejmani e Shqipdon Fazliu të dy prokurorë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në një njoftim të Këshillit Prokurorial thuhet se janë duke pritur edhe aplikacione të tjera eventuale të cilat mund të pranohen përmes postës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka bërë ftesë zyrtare partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile që përcjellin aktivitetet e sistemit prokurorial për të monitoruar procesin, ndërsa për të martën, më 8 shkurt 2022, i ka ftuar për të monitoruar hapjen e të gjitha aplikacioneve të prokurorëve që kanë aplikuar për këtë pozitë”, thuhet tutje në njoftimin e KPK-së.

Njoftimi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është bërë në fillim të muajit janar.

Afati për aplikim ka qenë për 15 ditë që nga 17 janari.