Betimi i deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Këta janë 11 deputetët të cilëve i’u pezullua puna në UP

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme kishte dhënë një opinion ligjor në drejtim të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në të cilën është kërkuar që 11 profesorë që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, të pezullojnë punën e tyre në UP.

Pak ditë pasi është dhënë ky opinion, Universiteti i Prishtinës, ka bërë të ditur për KALLXO.com se janë lëshuar 11 vendime për profesorët të cilët janë mandatuar si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtyre 11 vendimeve, profesorë të cilët janë edhe deputetë vijnë nga tw gjitha partitë shqiptare parlamentare e që janë profesorë në fakultete të ndryshme.

Deputetëve dhe profesorëve që u janë lëshuar vendim për pezullim të punës në UP janë:

1.Prof.dr. Enver Hoxhaj, (Fakulteti Filozofik);

2.Prof.ass.dr.Ardian Kastrati, (Fakulteti Filozofik);

3.Prof.ass.dr. Ardian Gola, (Fakulteti Filozofik);

4.Ass.dr.Fitim Uka, (Fakulteti Filozofik);

5.Prof.dr. Kujtim Shala, (Fakulteti Filologjik);

6.Prof.dr. Avdullah Hoti, (Fakulteti Ekonomik);

7.Prof.ass.dr. Hikmete Bajrami, (Fakulteti Ekonomik);

8.Ass. Eliza Hoxha, (Fakulteti I Arkitekturës);

9.Prof.asoc.dr. Ferat Shala, (Fakulteti Inxhinierisë Mekanike);

10.Prof.asoc.dr. Shemsedin Dreshaj, (Fakulteti i Mjekësisë) dhe

11.Prof.ass.dr.Albena Reshitaj, (Fakulteti i Mjekësisë).

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me opinion ligjor të lëshuar nga MPB. Në këtë opinion është sqaruar se stafi akademik dhe personeli arsimor i shkollave publike konsiderohen, “nëpunës të shërbimit publik” me ç’rast hyjnë në kuadër të Ligjit për Zyrtarë Publikë.

Sipas këtij opinioni, profesorët e Universiteteve Publike në momentin që zgjidhen deputetë të Kuvendit të Kosovës, duhet të pezullojnë marrëdhënien e punës në universitet.

“Në rast se nëpunësi i shërbimit publik zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoj: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit, deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhet në opinion ligjor.

Profesorët e zgjedhur deputetë do të pezullojnë punën në universitete