Këta ishin tre anëtarët e komisionit vlerësues të testit për bashkëpunëtorë profesionalë të Prokurorisë së Gjakovës

Xhemajl Qelaj, në cilësinë e kryetarit, Vlora Rraci, përfaqësuese nga Prokuroria si dhe Arben Ademaj – administrator në Prokurorinë e Pejës, kanë qenë tre anëtarët e komisionit vlerësues në testin për bashkëpunëtorë profesionalë të Prokurorinsë së Gjakovës.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com kryetari i komisionit, Xhemajl Qelaj.

I pyetur në lidhje me komisionet, Qelaj gjatë bisedës ka thënë se ishin dy të tillë për prokurori të ndryshme.

Komisionet tashmë do të përballen edhe me masë disiplinore nga ana e Këshillit Prokurorial të Shtetit.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit të Prokurorisë së Shtetit në të cilën ishte konfirmuar se kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, është suspenduar dhe ndaj tij do të nisë një masë disiplinore.

Në një bisedë të realizuar gjatë ditës së djeshme kryetari i komisionit vlerësues Xhemajl Qelaj nuk kishte mohuar faktin se pyetjet për bashkëpunëtorë profesionalë mund të ishin shpërndarë edhe nga anëtarët e komisionit.

Madje i njëjti kishte dhënë detaje për KALLXO.com se pyetjet ishin përpiluar rreth orës 10:00 ndërsa testi është mbajtur nga ora 13:00.

Skandali me shpërndarjen e pyetjeve të testit nisi kur kryeprokurori i Gjakovës ia dërgoi ato gabimisht gazetares së KALLXO.com:

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com.

Në bazë të mesazhit, vërehet se Buzhala këto pyetje i ka pranuar në Whatsapp nga dikush tjetër dhe të njëjtat i përcjell te gazetarja e Kallxo.com.

Tutje ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, në numrin e gazetares së KALLXO.com, autores së këtij artikulli, vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”.

Kryeprokurori Buzhala i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.

KALLXO.com mësoi së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë ditës së djeshme brenda objektit të ish-Rilindjes, ku është Ministria e Drejtësisë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje ai vazhdoi të thërrasë në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?”, pyetet nga gazetarja.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ai nuk pranon të japë përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkojë që të fshihen ato.

KALLXO.com kishte arritur që të zbuloi se dje po mbahej edhe testi me shkrim për bashkëpunëtor profesional ndërsa pyetjet që u dërguan nga Buzhala në adresë të Kallxo.com ishin të ngjashme me ato që i treguan edhe aplikantët në këtë konkurs gjatë bisedave me kallxo.com.

Pas publikimit të KALLXO.com menjëherë kishte reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Prokuroria e Shtetit.

Raportimi i KALLXO, suspendohet kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala