Kështu duket fletëqortimi që do të marrin shoferët e automjeteve me targa ilegale (FOTO)

Policia e Kosovës ka bërë publike fletëqortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Sipas Policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Fletë qortimet, sipas Policisë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.

Këto fletëqortime do të përmbajnë emrin dhe mbiemrin e shoferit, numrin personal, datëlindjen, datën kur është ndalur, orën kur është ndalur, mjetin që po voziste dhe targat e mjetit.

Ministria e Punëve të Brendshme i ka bërë thirrje prapë qytetarëve që automjetet që i kanë të regjistruara në targa ilegale t’i kthejnë në RKS.

MPB ka thënë se në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.

Tutje në njoftim u rikujtua prapë që të premten, më 28 tetor 2022, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin me të cilin është vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza.

I gjithë ky proces i regjistrimit, që ishte i paraparë të përfundonte sot, 31 tetor 2022, pritet që të përmbyllet me datë 21 prill 2023.

Sipas vendimit të ri të Qeverisë, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Masa e qortimit është vendosur që të përfundoj më 21 nëntor 2022. E më pas nga kjo datë e deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale është vendosur që të shqiptohen gjobë sipas legjislacionit në fuqi.

Gjobat që parashihen të shqiptohen për dy muaj radhazi do e kenë lartësinë prej 150 euro.

Pas përfundimit të kësaj faze, vendimi i Qeverisë parasheh që nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat ilegale për të hyrë dhe për të qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese.

Qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale, edhe gjatë kohës që pajisjen me targa provuese do t’i mundësohet regjistrimi në targa RKS, me lehtësirat e parapara.

Këto lehtësira është thënë se janë në taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

Më pas për një muaj, nga data 31 mars 2023 deri më datë 21 prill 2023, automjetet që do të regjistrohen me targa RKS nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara.

Krejt në fund të këtij procesi, pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës.

MPB tha se duan që të sigurojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtet, rritjen e sigurisë në trafik dhe se ky vendim nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar.

Lidhur me vendimin për targat dhe vendimin për dokumentet hyrje-dalje të Qeverisë së Kosovës ishin krijuar edhe tensione në veri të Kosovës.

Serbët lokal të veriut të Kosovës kishin filluar që të mblidheshin e të krijonin tensione për të shprehur pakënaqësitë që kishin ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e 29 qershorit të 2022-ës të Qeverisë së vendit, këta të fundit morën vendim që të aplikojnë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur do të hynin në Kosovë do të pajiseshin me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Vendimi do të hynte në fuqi më 1 gusht 2022, mirëpo ende pa ardhur mesnata, pra më 31 korrik 2022, mobilizimi i serbëve lokal të veriut të Kosovës veç se kishte filluar.

Alarmi që u lëshua tri herë brenda ditës, 9 barrikadat që u vendosën nga persona të maskuar e vështirë të verifikueshëm, sulmet ndaj qytetarëve që më pas u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës bën që në kryeqytet Qeveria të takohej me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më datën 1 shtator 2022.

Më pas, vetëm katër ditë para se të hynte prapë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për dokumentet hyrje/dalje për qytetarët e Serbisë, më 27 gusht 2022, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se për këtë çështje u arrit një marrëveshje në mes dy vendeve fqinje, Kosovë-Serbi.

Ai kishte njoftuar se sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia kishte rënë dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe se Kosova ishte pajtuar që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe.

Kështu kishte shkruar Borrell në Twitter, duke shtuar se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Ky nuk ishte vendimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit që u morr më 29 qershor, e që hyri në fuqi më 1 gusht për tu shtyrë më pas deri më 1 shtator.

Qeveria kishte vendosur po ashtu që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Zbatimi i këtij vendimi hyri në fuqi më 1 shtator 2022, dhe pritet që të mbarojë më 31 tetor 2022.

Pas kësaj date, pati vazhdimisht video mesazhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në të cilat i bëhej thirrje qytetarëve serb të Kosovës që t’i regjistronin veturat e tyre me tabela të Republikës së Kosovës (RKS) nga ato ilegale.

Por, siç duket video mesazhet nuk kanë pasur ndikim, pasi që deri më datën 20 tetor 2022, vetëm 13 vetura janë regjistruar me RKS nga qytetarët serbë.

Në anën tjetër, më 19 tetor 2022 u raportuar se i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kishte kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, të shtyhet vendimi për targat.

Escobar në një intervistë për Prime Time të Kanal 10, tha se afati është kërkuar të shtyhet për 10 muaj të tjerë.

Dy ditë pas kësaj deklarate, më 21 tetor 2022 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte thënë se temë për targat është ende duke u diskutuar dhe në esencë është çështje e sundimit të ligjit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, për KALLXO.com është thënë se pas datës 31 tetor, qarkullimi me tabela ilegale nuk do të lejohet brenda territorit të Kosovës.

Sipas përgjigjes së tyre, një veprim i tillë parashihet edhe me legjislacionin në fuqi, duke shtuar se qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikë kalimet kufitare.

Mirëpo, ky vendim më pas u ndryshua duke u sjellë në pah një vendim tjetër që shtynë ndalimin e qarkullimit të veturave me targa ilegale deri më 23 prill 2023.