Këshilltarja e kryeministrit hungarez Viktor Orban jep dorëheqje për shkak të fjalimit të tij racist

Zsuzsa Hegedűs, këshilltarja për një kohë të gjatë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka dhënë dorëheqje nga posti i saj, raporton telex.

Hegedus e kishte konfirmuar vendimin e saj përmes një letre të cilën ia kishte dërguar kryeministrit Orban, sot në mëngjes.

Në letrën e dorëheqjes, Hegedus ka njoftuar se dorëheqja e saj vjen për shkak të deklaratave raciste të kryeministrit hungarez.

“Më vjen keq sinqerisht që ishte një deklaratë e turpshme që më detyroi të ndërpres një marrëdhënie që, megjithëse për mua ishte gjithnjë e më e vështirë për ta menaxhuar që nga kthesa jote joliberale, dukej e qëndrueshme në afat të shkurtër. Mirëpo, pas një fjalimi të tillë, i cili bie ndesh me të gjitha vlerat e mia themelore, nuk kam zgjidhje tjetër; Pavarësisht se nuk ma kufizove kurrë lirinë e plotë në asnjë mënyrë, ashtu siç më premtove fillimisht kur më ofrove këtë pozicion, tani më duhet publikisht të shkëputem me ju për shkak të asaj që thatë në Tusnádfürdő”, ka shkruar Hegedus.

Hegedus këtë letër e kishte shkruar duke iu referuar deklaratës së kryeministrit hungarez ku ai kishte thënë se “Ka vende ku përzihen popujt evropianë dhe joevropianë dhe ku kombinohen popujt evropianë, si pellgu i Karpateve. “Ne nuk jemi një racë e përzier” – kishte thënë ai – “dhe nuk duam të jemi”.

Në letër, ajo gjithashtu i ka rikujtuar Orbanit se tashmë i kishte thënë personalisht se ligji “homofobik” kishte tejkaluar tashmë kufijtë e asaj që ajo e konsideronte të pranueshme.

Mirëpo, ajo kishte vazhduar mandatin dhe punën në programin e përfshirjes sociale, pavarësisht nga kjo, por që sipas Hegedus “fjalimi juaj në Tusványos më befasoi edhe përkundër këtyre precedentëve”.

Fjalimi kontrovers i kryeministrit hungarez në fundjavë për përzierjen e racave në Evropë vazhdon të shkaktojë bujë, por ai mund t’i ketë drejtuar komentet e tij për një audiencë më të hapur në SHBA.

Ish-kryeministri hungarez, Ferenc Gyurcsany gjithashtu dënoi fjalët e Orban.

“Orban është tragjedia e Hungarisë. Ne do të vdesim nëse qëndron kështu. Ne do të jemi paria. Një komb imoral”, ka shkruar ai në Facebook .