Këshilltari politik në Kryeministri e Kuvend me pagë dyfish më të madhe se polici e ushtari

Draft projektligji për paga që është ende në fazat e hershme të diskutimeve ka nxitur debat në opinion ditëve të fundit.

Në këtë draft janë propozuar koeficientet për profesionet e sektorit publik. Ndonëse ende nuk është caktuar vlera e një koeficienti, dallimet në pagë mes sektorëve janë të kalkulueshme sipas propozimeve të para që tashmë janë bërë.

Një zyrtar policor është propozuar të ketë koeficientin 4.2. Ndërsa për një polic të ri është propozuar që koeficienti i pagës së tij të jetë 4.

Mirëpo një këshilltar politik në Zyrën e Kryeministrit apo në Kuvendin e Kosovës ka pagë më shumë se dyfishi i një polici të ri apo edhe vetëm polic.

Sipas propozimeve të bëra përmes draft projektligjit të pagave, koeficienti për një këshilltar politik në Zyre të Kryeministrit, Kuvend të Kosovës dhe në Gjykatë Kushtetuese është 9.2.

Ndërsa hendeku rritet edhe më shumë mes policit dhe këshilltarit në presidencë. Një këshilltar në presidencë ka koeficient të pagës 9.7.

Ndërsa një polic i lartë në Policinë e Kosovës pritet të paguhet dyfish më pak se këshilltari i Kryeministrit. Polici i lartë ka koeficient 4.3, as sa gjysma e këshilltarit të kryeministrit.

Një këshilltar në presidencë ka pagë 0.1 koeficient më të vogël se sa një kolonel në Polici është një prej gradave më të larta në këtë institucion.

Dallimi është edhe me pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës.

Koeficienti i një ushtari të FSK-së është 4.

Paga e një këshilltari politik të kryeministrit është po ashtu më e lartë se sa paga e një kapiteni në Ushtrinë e Kosovës.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.