Tabelë me fotografitë e civilëve shqiptarë të vrarë në masakrën e Mejës në prill 1999

Këshilltari i Vjosa Osmanit reagon ndaj deklaratës së Baton Haxhiut: Krimet e Serbisë nuk amnistohen, edhe nëse shuhen gjenerata të tëra

Artan Murati, këshilltar i kryetares së Kuvendi të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu në lidhje me amnistinë e krimeve të luftës.

“I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu para dy ditëve në një emision në televizionin T7.

Murati ka thënë krimet e Serbisë nuk amnistohen edhe nëse shuhen gjenerata të tëra.

“Ne që u rritëm në luftë e kemi shumë vështirë të harrojmë. Ata që humbën gjithçka e kanë edhe më vështirë. Fëmijët tanë do të mësojnë për ato të bëma po ashtu. Prandaj, asnjë lloj politike, nuk do të lejohet të harrojë një gjë të tillë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Pos Muratit, ndaj deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci  dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Muratit në Facebook:

Ditëve të fundit dëgjova në disa raste se një marrëveshje finale me Serbinë mund të përfshije edhe amnisti për krimet e luftës. Madje, disa argumente ishin të tipit se kanë kaluar 20 vite, e s’kemi pse merremi me gjykim ne.

Qysh bre, për 20 vite po thoni që amnistohen krimet e Serbisë në Kosovë a? Nesër është përvjetori i masakrës së Mejes. Nënat në Meje nuk mendojnë kështu. Kështu nuk mendon askush në Kosovë, që ka shpirt të djegur nga dhimbja e malli, sepse humben gjithçka. Krimet e Serbisë nuk amnistohen, edhe nëse shuhen gjenerata të tëra: ato para nesh, kjo e imja, e gjeneratat pasardhëse.

Ne që u rritëm në luftë e kemi shumë vështirë të harrojmë. Ata që humbën gjithçka e kanë edhe më vështirë. Fëmijët tanë do të mësojnë për ato të bëma po ashtu. Prandaj, asnjë lloj politike, nuk do të lejohet të harrojë një gjë të tillë.

Uroj që këto ide të jenë thjesht sa për konsum medial. Përndryshe, do të ishte e pabesueshme nëse synohet të bisedohet për amnisti. Aspektin juridik as që po e diskutoj, se ka shumëçka të flitet edhe aty.