Këshilltari i Vjosa Osmanit ‘përgënjeshtron’ ish- shefin e AKI-së për kasafortën e sigurisë

Ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, tregoi se raportimet që janë bërë në lidhje me hapjen e kasafortës së sigurisë e cila gjendet në Presidencë nuk janë të vërteta.

Madje ai shtoi se asnjë dokument nuk është larguar nga kasaforta deri sa përmendi se për veprimet që kanë ndodhur kanë qenë të njoftuar edhe kabineti i u.d. të presidentes Vjosa Osmani.

Por të gjitha këto të cilat i tha Gashi në një emision në Klan Kosova i hodhi poshtë dhe i përgënjeshtroi këshilltari i Vjosa Osmanit, Faton Peci.

“Një pjesë të intervistës e dëgjova me aq sa dëgjova z. Gashi krejt deklarimi i tij është i pavërtetë. Është i pavërtetë është gënjeshtër e kulluar me thënë edhe më qartë”, tha Peci.

Peci i cili ka qenë ai i cili ka raportuar rastin në polici, tregoi se çka kishte ndodhur atë ditë.

“Më datën 6 kemi pasur një agjendë të ngarkuar. Fillimisht njëra nga aktivitetet ka qenë nderime te varri i Ibrahim Rugovës dhe duke u kthyer kam pranuar një mesazh nga sekretari Driton Gashi i cili më njofton se EULEX do t’i bastis zyrat e Presidencës. Ne jemi spostuar në zyrën e kryetares së Kuvendit dhe kemi anuluar disa takime. Derisa po diskutonim në zyrën e Kuvendit presidentja më bën me dije se jam person përgjegjës në Presidencë dhe shkoj për të parë se cilat janë zhvillimet në Presidencë dhe a po realizohet aksioni i paralajmëruar nga z. Gashi nga EULEX-i. Kur unë kam mbërri në kabinet z. Gashi ka qenë me telefon në dorë afër sefit të sigurisë duke tentuar ta hapë kasafortën”, tha Peci.

Ai shtoi se ish- shefi i AKI-së, Driton Gashi, nuk ka pasur mandat që të ftojë përfaqësuesit e AKI-së që të marrin asnjë dokumentacion i cili gjendet në kasafortën e sigurisë në Presidencë.

Madje Peci tregon se kishte marrë një mesazh nga ana e Driton Gashit se do të ketë bastisje në zyrën e presidentit nga EULEX-i.

“Rastin e kemi paraqitur në polici. Z. Gashi nuk ka pasur mandat të ftoj përfaqësuesit e AKI të marrin dokumentacionin. Qasjen në sefin e sigurisë duhet ta ketë vetëm presidenti i vendit. Përveç asaj që unë z. Gashi dhe një agjent të AKI-së e kam gjetë në zyrë me fjalë të tjera i kam zënë në flagrancë duke sulmuar institucionin e Presidencës, fatkeqësisht sekretari i zyrës së presidentit dhe një inspektor të AKI-së. Unë i kam pyetur se me autorizim të kujt po e ndërmarrin një veprim të tillë dhe ai më ka thënë se nuk lejoj që këto dokumente me ra në duar të EULEX”, shtoi Peci.

Tutje ai vazhdoi të tregojë edhe se i kishte kërkuar Gashit që të mos e prekte kasafortën me dokumente.

“Kam kontaktu u.d të presidentit dhe më ka thënë se nuk ka asnjë informacion dhe në kontakt me EULEX nuk do të ketë bastisje. Kur jam rikthyer në zyre dhe i kam prezantuar z. Gashi se nuk guxon dhe nuk i lejohet që të ta prek sefin e sigurisë, ai përkundër vendimit të presidentes ka tregu mosbindje duke thënë se unë e marr barrën e përgjegjësisë dhe do të marrë nga sefi dokumentet”, tha Peci.

Peci tregon se dokumentet nuk janë nxjerrë nga kasaforta e sigurisë pas insistimit të tij dhe të Osmanit.

“Dokumentet nuk janë nxjerrë nga sefi për shkak të insistimit personal timin dhe të u.d të presidentit. Procesverbali është bërë diku më datë 6 rreth orës 18:00 me insistimin e u.d. të presidentit në prezencë të stafit civil të z. Gashi dhe kabinetit tonë”, tha në fund Peci.