Këshilltari i Vjosa Osmanit për ligjin e pandemisë: Opinioni i qeverisë nuk ka karakter obligativ

Artan Murati, këshilltar ligjor i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme e konsideroi të panevojshme nismën legjislative për luftimin e pandemisë COVID-19.

Murati ka deklaruar se propozimi për shmangie nga afatet procedurale dhe për trajtim urgjent të projektligjit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë do të hidhet sot në votim.

Kjo pasi, sipas tij, opinioni i Qeverisë nuk ka karakter obligativ.

“Gjykata Kushtetuese – Duhet ligj për menaxhimin e pandemisë. Qeveria – Jo, jo, s’duhet! Për këtë çështje, duhet dëgjuar Gjykatën. Propozimi për shmangie nga afatet procedurale dhe për trajtim urgjent të projektligjit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë do të hidhet sot në votim, meqenëse opinioni i Qeverisë nuk ka karakter obligativ”, thuhet në publikimin e Muratit në Facebook.

Gjykata Kushtetuese – Duhet ligj për menaxhimin e pandemisë.Qeveria – Jo, jo, s'duhet! Për këtë çështje, duhet…

Publiée par Artan Murati sur Jeudi 9 juillet 2020

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj në mbledhjen e qeverisë, paraqiti opinionin e ezkekutivit duke thënë se menaxhimi i pandemisë është mjaftueshëm i rregulluar me legjislacionin në fuqi dhe dispozitat e veçanta të Kushtetutës.

Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë, është inicuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani që nga muaji prill, por për javë të tëra ishte bllokuar në Kryesi nga partitë politike, përderisa vetëm në qershor u procedua për mendim në qeveri.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, në mbledhjen e fundit të Kryesisë ka shprehur shqetësimin për faktin se Qeveria ende nuk e ka dërguar opinionin për nismën e Kuvendit për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, gjë që do të mundësonte trajtimin e ligjit në seancë.

Sipas një njoftimi të legjilsativit, Osmani theksoi se situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji.

Kryeparlamentarja tutje ka paralajmëruar që nëse Qeveria nuk e sjellë opinion deri të enjten, ajo në seancë do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht.