Këshilltari i Vjosa Osmanit e quan rrugaç Xhavit Ukajn

Këshilltari i Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, Bekim Kupina e ka kritikuar dhe e ka quajtur gjuhë rrugaçi sjelljen e deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj në seancën e sotme.

Ukaj iu vërsul Osmanit gjatë seancës e cila po mbahej në Kuvendin e Kosovës, pasi kjo e fundit ka kërkuar nga Ukaj të mos flas.

“Për mungesë të mendimit politik, deputeti përdorë fyerje e kërcënim ndaj kryetares së Kuvendit, Vjosa R. Osmani. Kjo Shtëpi e Ligjeve ka hata që mbanë brenda tipa si ky person me gjuhë rrugaçi! S’mund të imagjinohet që ky mund të japë kontribut për ligjet, të cilat synojnë ta bëjnë një shoqëri më të mirë! Distancim social meriton ky tip, sepse gjuha e kontaminuar e tij është më e rrezikshme se çfarëdo virusi!”, ka shkruar Kupina.

Gjatë kohës sa Osmani po i jepte fjalën deputetes Ganimete Musliu, në këtë debat ka ndërhyrë deputeti Xhavit Ukaj nga LDK.

Osmani i ka replikuar deputetit duke i thënë “A po ulesh edhe mos bërtit, sepse jeni ju që më së shumti e keni përdor për 52 ditë fjalën paranojak, ulu ose kërkoj prej sigurimit me të qitë jashtë”, ka thënë Osmani.

Pas fjalës së Osmanit, deputeti Ukaj ka vazhduar përplasjen e tij me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas kësaj, deputeti i është afruar deri tek ulësja kryetares së Kuvendit duke ju vërsulur.

Tek foltorja janë mbledhur një numër i madh i deputetëve duke tentuar që të ndalojnë përplasjen mes kryetares së Kuvendit dhe deputetit Ukaj.

Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë seancën e Kuvendit me arsyetimin e paedukatës së deputetit Ukaj.