Këshilltari i Thaçit : Serbia e shantazhon BE-në dhe prapë merr mbështetje

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami ka reaguar pas lajmeve se Bashkimi Evropian ka vendosur t’i ndajë 7.5 milionë euro për Serbinë në luftën kundër virusit COVID-19.

Behrami, ka bërë krahasime mbi raportin e BE-së me Kosovën dhe Serbinë.

Sipas tij, BE fjalët i shndërron në vepra në Serbi, derisa në Kosovë veprat i zëvendëson me premtime të thata.

“Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, krejt çfarë i ofron Kosovës janë disa lëvdata për Ministrinë e Shëndetësisë. Arben Vitia padyshim që është ministri më i mirë në kabinetin e Kurtit. Por, ambasadore, edhe ne kemi nevojë për mbështetje me pajisje medicionale. Edhe personelit shëndetësor, edhe ekipeve që po ballafaqohen nga afër me këtë pandemi, u nevojiten pajisje mbrojtëse, prandaj përkraheni edhe Kosovën njëjtë si Serbinë. Me vepra, jo me fjalë.”, ka shkruar mes tjerash Behrami.

“Serbia ju shantazhon gjithmonë përmes kartës ruse, prandaj edhe po e mbështetni. Moto e re e BE-së: “United in Discrimination””, ka vazhduar tutje shkrimi i këshilltarit të Thaçit.

Kujtojmë se deri më tani në Kosovë janë identifikuar 24 raste të infektuar me virusin COVID-19.