Këshilltari i Thaçit fton Limajn të kthehet në PDK

Ismail Syla, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, i ka bërë ftesë publike  liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që të kthehet në PDK.

Syla përmes një postimi në Facebook ka thënë se PDK-ja në 20-vjetorin e themelimit të saj mund të ishte fituese po të ishte Limaj në këtë parti.

“Sonte, Partia Demokratike e Kosovës, përkundër angazhimit supermaksimal nga LDK dhe VV, ka mund ta shënojë 20 vjetorin e themelimit si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit po ta kishte me vete anëtarësinë e shtëpisë së saj, të NISMA-s. I bëj ftesë publike z. Fatmir LIMAJ që të rikthehet në PDK. URIME 20 vjetori gjithë anëtarësisë besnike të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Syla.

Në zgjedhjet e 6 tetorit sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka prirë me 202 mijë e 968 vota, apo 25.48% e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 197 mijë e 702 vota apo 24.82%, ndërsa e treta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka marrë 169 mijë 211vota apo 21.24%.

Kurse koalicioni AAK-PSD ka marrë 92 mijë 149 vota apo 11.57%.

Rezultatet e deri më tanishme, tregojnë që koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD nuk ka arritur pragun prej 5 përqind sa kërkohet për të qenë pjesë e Kuvend të Kosovës, ky koalicion ka marrë 39 mijë e 495 vota  apo 4.96%.

Numërimi i votave të rregullta ka përfunduar ,mirëpo ende të pa numëruara janë votat e diasporës të cilat janë mbi 30 mijë.

Rezultatet preliminare të KQZ-së, Nisma nuk kalon pragun

.