Foto: Facebook/ Adil Behramaj

Këshilltari i presidentit – Vjosa Osmanit: Thirre seancën dhe lëri lojërat politike!

Adil Behramaj, këshilltari politik i presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar pas kërkesës së kryeparlamentares Vjosa Osmani drejtuar IKShPK-së për mbajtje të seancës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Behramaj ka thënë që kryeparlamentarja Osmani i ka ditët e fundit për të dëshmuar nëse është aty për t’i shërbyer Albin Kurtit apo për t’i ushtruar kompetencat e saj kushtetuese.

“Asnjë institut dhe asnjë institucion nuk mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës. Këtë duhet ta dijë edhe Vjosa Osmani, e cila i ka ditët e fundit për të dëshmuar nëse aty është për t’i shërbyer Albin Kurtit, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit apo për t’i ushtruar kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore në shërbim të të zgjedhurve të popullit dhe vetë popullit”, ka shkruar Behramaj në Facebook.

Sipas tij, kërkesa e Osmanit drejtuar IKPShPK-së është tentativë për shtyrjen e seancës për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“’Kuvendi është institucion ligjvënës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe jo i zgjedhur nga Vjosa Osmani. Përpjekjet e saj për ta vonuar Mocionin e Mosbesimit, duke i kërkuar opinion IKSHPK-së për mbajtje të seancës, drejtori i të cilës nuk guxonte të vinte as në takim me presidentin pa lejen e ministrit dhe ky i fundit, po ashtu, nuk guxonte as ta lejonte të vinte pa e pyetur kryeministrin, ua fyejnë edhe inteligjencën qytetarëve”, ka shkruar tutje ai.

Tutje këshilltari i Thaçit ka sugjeruar kryeparlamentaren Osmani që ta thërrasë seancën dhe t’i lërë ‘lojërat politikë’.

“Thirre seancën kryeparlamentare dhe lëri lojërat politike, se e dinë shumë mirë që i gjithë objekti i Kuvendit, përfshirë këtu edhe sallën e seancave, janë dezinfektuar para 3-4 ditësh nga ekipet profesionale, që të mund të mblidhen deputetët”, ka thënë ai.

Sipas tij ‘shumë qeveri e legjislatura janë rrëzuar në të kaluarën, por kurrë nuk kanë shkuar duke vajtuar kështu si ju’.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti është dorëzuar të premten në Kuvendin e Kosovës nga partneri i koalicionit LDK.

Kjo prishje e koalicionit vjen pas mosmarrëveshjeve për taksën dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër (e martë) për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, inicuar nga LDK-ja. Kuvendi ka bërë të ditur se Kryesia do të mblidhet në ora 14:00.