Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Këshilltari i presidentes: Kjo është arsyeja pse Vjosa Osmani u operua në spital privat

Një ndërhyrje kirurgjike e presidentes Vjosa Osmani, e kryer të mërkurën në një institucion privat shëndetësor, nxiti reagime të ndryshme në vend.

Presidentja u kritikua për mosrealizimin e ndërhyrjes në njërin nga institucionet publike.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes, tha se ajo është operuar në spitalin privat ngase axha i saj është i angazhuar aty dhe i njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes dhe kishte përcjellë që një kohë gjendjen e saj.

“Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin “Aloka” është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë të gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike. Dr. Osmani deri në pensionim ka punuar në QKUK, dhe ka një përvojë kirurgjike mbi 40 vjeçare. I njëjti e ka përcjellë me vite të tëra gjendjen shëndetësore të Presidentes, dhe për rrjedhojë nën këshillimin dhe mbikëqyrjen mjekësore të Dr. Osmanit është realizuar intervenimi kirurgjik në spitalin “Aloka”, meqë për shkak të pensionimit ai nuk punon më në QKUK. Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në institucion shëndetësor të licencuar, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nga mjekët dhe stafi ndihmës vendor”- ka thënë Kupina për KALLXO.com.

Ai ka theksuar se është e drejtë e pacientit të zgjedhë mjekun andaj sipas tij nuk ka asnjë arsye të njollosen mjekët që punojnë në institucionet shëndetësore, qoftë publike apo private.

“Realizimi i ndërhyrjes kirurgjike nuk paraqet vlerësim të përgjithshëm mbi arritjet dhe sfidat e sektorit publik shëndetësor, pasi që Presidentja Osmani dhe familja e saj në vazhdimësi, në mbi 90 për qind të rasteve, marrin shërbime shëndetësore nga institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës. Angazhimi i presidentes Osmani për fuqizimin e sektorit të shëndetësisë nuk ka munguar dhe nuk do të mungoj asnjëherë”- ka shtuar Kupina.

Ai ka sqaruar se pagesa e ndërhyrjes kirurgjike e Osmanit do të kryhet  me mjete vetanake sepse aktualisht ajo dhe familja e saj nuk ka sigurim shëndetësor.

Përgjigjja e plotë e këshilltarit të Presidentës për KALLXO.com

Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin “Aloka” është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike.

Dr. Osmani deri në pensionim ka punuar në QKUK, dhe ka një përvojë kirurgjike mbi 40 vjeçare. I njëjti e ka përcjellë me vite të tëra gjendjen shëndetësore të Presidentes, dhe për rrjedhojë nën këshillimin dhe mbikëqyrjen mjekësore të Dr. Osmanit është realizuar intervenimi kirurgjik në spitalin “Aloka”, meqë për shkak të pensionimit ai nuk punon më në QKUK. Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në institucion shëndetësor të licencuar, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nga mjekët dhe stafi ndihmës vendor.

Po ashtu, është e drejtë e pacientit ta zgjedhë mjekun te i cili duhet të trajtohet. Prandaj, nuk ka asnjë arsye të njollosen mjekët, sepse janë po këta mjekë, të njëjtit që punojnë në institucionet shëndetësore, qoftë publike apo private. Pra, ekipi mjekësor që ka realizuar ndërhyrjen është përbërë tërësisht nga mjek vendor me përvojë të gjatë në institucionet publike dhe private shëndetësore të Republikës së Kosovës dhe Presidentja i falënderon për punën profesionale dhe kujdesin e treguar.

Realizimi i ndërhyrjes kirurgjike nuk paraqet vlerësim të përgjithshëm mbi arritjet dhe sfidat e sektorit publik shëndetësor, pasi që Presidentja Osmani dhe familja e saj në vazhdimësi, në mbi 90 për qind të rasteve, marrin shërbime shëndetësore nga institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës. Angazhimi i presidentes Osmani për fuqizimin e sektorit të shëndetësisë nuk ka munguar dhe nuk do të mungoj asnjëherë.

Sapo është marrë vendimi i mjekëve specialistë për ndërhyrje kirurgjike për shkak të dhimbjeve akute, Presidentja Osmani e ka përcjellë njoftimin e dorëzimit të përgjegjësive te z. Konjufca, i cili është njoftuar paraprakisht për realizimin e ndërhyrjes. Kësisoj, është garantuar që Republika e Kosovës të mos mbetet për asnjë moment pa kreun e shtetit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e kërkon njoftimin publik të kalimit të përgjegjësive në sekondë, ndaj njoftimin publik e ka bërë Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, kur ka vlerësuar se duhet të bëhet një gjë e tillë për t’u njoftuar qytetarët për bartjen e përkohshme të përgjegjësive nga Presidentja Osmani tek kryetari Konjufca.

Pagesa e ndërhyrjes kirurgjike dhe e trajtimit mjekësor post operativ do të kryhet me mjete vetjake të Presidentes Osmani, ngase ajo dhe familja e saj, aktualisht nuk kanë sigurim shëndetësor.

Gjendja shëndetësore e Presidentes Osmani pas ndërhyrjes është shumë e mirë dhe ajo vazhdon trajtimin post operativ në spitalin e njëjtë. Presidentja pritet ta vazhdoj rikuperimin në banesën e saj në Prishtinë pasi mjekët të lirojnë atë nga kujdesi spitalor.

Në ndërkohë Presidentja Osmani i është rikthyer ushtrimit të detyrave kushtetuese të saj, ndaj sot ka emëruar 27 anëtarët e rinj të të gjitha komuniteteve të Këshillit Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës. Po ashtu, gjatë ditës, Presidentja Osmani ka qenë në kontakt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit për sa i përket rendit dhe sigurisë në vend, si dhe me institucionet e tjera për temat dhe zhvillimet aktuale.

Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes