Këshilltari i Pacollit: Përfundimisht jemi pjesë e Kuvendit

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se partia e tij, AKR, e cila është pjesë e koalicionit me Nismën Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një statusi në Facebook Zyberaj ka thënë se kjo është falë 42 mijë qytetarëve.

“Koalicioni ynë përfundimisht u konfirmua si pjesë e Kuvendit të Kosovës. Faleminderit më shumë se 42 mijë qytetarëve të Republikës”, ka shkruar ai.

Kurse, Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të votave të 1.407 vendvotimeve, për të cilat Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi të rinumërohen.

Rinumërimi i këtyre vendvotimeve pritet të përfundojë sot. Të panumëruara janë edhe 37 vendvotime, të cilat pritet të përfundohen sot.

Ky rinumërim ka nisur të mërkurën e kaluar pasdite pas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ia ka refuzuar.

Njohës të proceseve zgjedhore në vend kanë vlerësuar se konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.