Këshilltari i ministres së Arsimit reagon pas artikullit të KALLXO.com për 5-vjeçarin që u largua nga shkolla për shkak të flokëve të gjata

Këshilltari ligjor i Ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj, ka reaguar pas publikimit të artikullit të KALLXO.com, “Ferizaj, drejtoresha e largon 5-vjeçarin nga shkolla për shkak të flokëve të gjata”.

Dervishaj ka deklaruar se “Inspektorati do të përkujdeset që të sqarohet ky rast dhe fëmija të kthehet në shkollë”.

Tutje Dervishaj ka shkruar në Facebook se mosndjekja e shkollimit për shkak të flokëve është e papranueshme.

“Fëmijët e kanë vendin në shkollë. Nuk ka një akt normativ që ia ndalon fëmijëve të kenë flokë të gjata apo të shkurtra” – ka shkruar Dervishaj.

KALLXO.com ka publikuar sot një artikull për një pesëvjeçar në Ferizaj, i cili dyshohet se është larguar nga shkolla për shkak të flokëve të gjata.

Rregullorja e shkollës thotë se “Ndalohet bartja e vathëve dhe rritja e flokëve te djemtë”.

Prindi i fëmijës, Fadil Idrizi, thotë se drejtoresha Servete Hajrullahu e ka larguar djalin nga shkolla për shkak të flokëve të gjata.

Ai tha për KALLXO.com se ka kërkuar arsyetim rreth këtij vendimi nga drejtoresha e shkollës, nga Drejtoria e Arsimit dhe nga Inspektorati i Komunës, por nuk ka marrë përgjigje.

Ferizaj, rregullorja e çuditshme e shkollës që e lë 5-vjeçarin jashtë bankave shkollore