Takimi i kryeministrit Albin Kurti me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin | Foto: ZKM
Këshilltari i Kurtit: Kemi zgjidhje kompromisi për CEFTA-n, por Serbia e ka kushtëzuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin special të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.
Kështu ka njoftuar këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj, përmes një postimi në Facebook sot më 05.09.2024.
Sipas Zulfajt, në këtë takim është folur për mundësinë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA.
“Pas tre vitesh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura. Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë. Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”- ka shkruar Zulfaj.
Përveç kësaj Zulfaj është shprehur se Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe se kryeministri Kurti vazhdimisht ka promovuar integrimin e rajonit.
Rreth takimit Kurti-Sarrazin ka shkruar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas ambasadorit, kryeministri Kurti nuk u bind të bëjë kompromis për CEFTA-n.
“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën sërish për të nxitur Albin Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord, pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, për momentin, për të ecur përpara me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”- ka shkruar ambasadori gjerman.
CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.