Këshilltari i Ilir Metës për Haradinajn: E ka dëshmuar me vepra sa e don Kosovën

Këshilltari i Presidentit të Shqipërisë, Flamur Gashi, i ka dalë në përkrahje kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinajt, pas padisë që homologu i tij shqiptar Edi Rama, i bëri për shpifje.

Gashi përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka shkruar se Haradinaj dhe familja e tij kanë dhënë për lirinë e Kosovës dy bij, dhjetra plagë dhe kanë bërë një rezistencë dhe sakrificë të jashtëzakonshme.

“Nuk ka njerëz të pagabueshëm në këtë botë, por Ramushi dhe familja e tij e kanë dëshmuar me vepra se sa dhe si e duan Kosovën, Shqipërinë dhe të gjitha trojet shqiptare”, ka shkruar këshilltari i Ilir Metës.

Në tetor të vitit të kaluar, në dy emisione të ndryshme televizive, Ramush Haradinaj i kishte dhënë disa deklarata të forta për Edi Ramën.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën ka deponuar një padi për shpifje në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Tema për të cilën filluan polemikat e Edi Ramës e Ramush Haradinajt ishte “shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”.

KALLXO.com ka siguruar padinë prej 27 faqesh nëpërmjet të cilës Edi Rama kërkon dëmshpërblim prej 10 mijë eurove nga Ramush Haradinaj. Përveç këtyre, në padi thuhet se Haradinaj duhet të paguaj edhe shpenzimet e avokatëve e gjithashtu mos të përsëritë deklarimet, sipas Edi Ramës, të rreme.

Ramush Haradinaj reagon ndaj padisë së Edi Ramës kundër tij