Takimi mes presidentëve - Donald Trump, Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelensky, Foto: Volodymyr Zelensky/X

Këshilltarët e Trumpit e pranojnë se ujdia për paqe në Ukrainë është muaj larg

Këshilltarët e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump e pranojnë tani se lufta në Ukrainë do të marrë muaj, ose më shumë kohë për ta zgjedhur një pranim të një realiteti kokëfort, për premtimin e tij më të madh të politikës së jashtme – duke pasur parasysh se kishte premtuar se në ditën e parë të Presidencës do të jetësonte një Marrëveshje të Paqes pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë – raporton të mërkurën, më 15.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

Dy njerëz të afërt të Trumpit, të cilët kanë folur për luftën me presidentin e zgjedhur për luftën në Ukrainë, i kanë thënë Reutersit se presin të ketë një afat kohor prej muajsh për ta zgjidhur konfliktin – duke i përshkruar premtimet e Ditës së Parë si kombinim të rrëmbimit të fushatës dhe mungesës së njohjes së drejtpërdrejtë të rrjedhave të luftës. Ata kanë thënë gjithashtu se stafit të Administratës së re do t’i duhet më shumë kohë për të ndërmarrë veprime konkrete.

Këto vlerësime përputhen me komentet e të dërguarit të ardhshëm të Trumpit për Rusi-Ukrainë, gjenerallejtënant në pension Keith Kellogg, i cili ka deklaruar në një intervistë me Fox News javën e kaluar se do të dëshironte të kishte një “zgjidhje” për luftën brenda 100 ditëve – larg afatit kohor të premtuar prej Presidentit të zgjedhur.

Megjithatë, edhe afati i zgjatur i Kelloggut ishte “tepër optimist”, ka deklaruar John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, i cili tani është pjesë e Institutit të Mendimit të Këshillit Atlantik në Uashington.

“Që kjo të funksionojë, Trump duhet të bindë (presidentin rus, Vladimir) Putin se ka anën e vet negative që të ndryshojë përnjëherë mendimin.” – ka theksuar Herbst.

Në prag të fitores së tij në Zgjedhjet e 5 nëntorit, Trumpi ka deklaruar dhjetëra herë se do të kishte një Marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë në ditën e tij të parë në detyrë – nëse jo edhe më parë.

Në fund të tetorit, megjithatë, ai bëri një ndryshim të kujdesshëm në retorikën e tij dhe filloi të thoshte se mund ta zgjidhte luftën “shumë shpejt”.

Që nga Zgjedhjet, Trumpi e ka zbutur më tej retorikën, shpesh duke thënë thjesht se do ta “zgjidhte” konfliktin – pa ofruar një afat kohor. Dhe, Presidenti i zgjedhur ka thënë se përfundimi i luftës në Ukrainë do të jetë më i vështirë sesa arritja e një armëpushimi në Gazë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com