Këshilli Shtetëror i Cilësisë raporton në Komisionin për Arsim, kritikohen për qëndrime të ndara

Me akuza dhe dyshime për njëri-tjetrin, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, në kuadër të Agjencisë Kosovare për Akreditim, sot ka raportuar për 4 orë për punën e tyre tek Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Deputetët e komisionit kanë kritikuar qëndrimet e ndara brenda këshillit duke paralajmëruar edhe shqyrtim të mëtejmë në lidhje me këtë problem

Fillimisht anëtarët e KShC-së u ballafaquan me pyetje të anëtarëve të këtij komisioni dhe pastaj zhvilluan debat në lidhje me shumë çështje që kanë të bëjnë me akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Por, temë e diskutimit ishte edhe një letër e tre anëtarëve të KShC-së, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi dhe Arta Jakupi që i ishin drejtuar anëtarëve të këtij komisioni, ku sipas tyre janë bërë disa shkelje në disa procese të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë si dhe një raport i dorëzuar nga kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni.

Kryetari i Komisioni për Arsim që është nga LDK, Arban Abrashi tha se kanë kërkuar raportim nga KShC-ja për shkak që ky komision ka anëtar të ri dhe nuk janë të njoftuar me procesin.

“Sot është mirë që të informohemi për procesin në të cilën po kalojmë dhe letrat që i kemi marrë nga tre anëtarë të KShC më herët si dhe për procesin  e akreditimit online që tashmë ka filluar nga AKA”, tha Abrashi.

Pas kësaj, mori fjalën kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni, që para anëtarëve tregoi për punën e bërë.

“Akreditimi është një proces që është shumë i rëndësishëm dhe AKA ka hyrë në proces të akreditimit online përkundër rrethanave, ne kemi marrë vendim që të tejkalojmë këtë situatë dhe që të zbatohet akreditim në distancë, ku formën e vlerësimit të ekspertëve ta organizojmë online përmes video qasjes me ekspertë ndërkombëtarë. Kemi 14 institucione që do t’i hyjnë akreditimit dhe 207 programe”, tha ai.

“Ne jemi në përfundim të standardeve të doktoratës dhe pas kësaj do të vazhdojmë me trajtimin e aplikacioneve për këtë drejtim, që më së shumti ka UP. Rikthimi i Kosovës në ENQA dhe EQAR është shumë i rëndësishëm po ashtu dhe shqetësimi kryesor i yni është pavarësia e plotë”, shtoi Luboteni.

Luboteni theksoi se stafi i Agjencionit të Akreditimi ka mungesë të stafit.

“AKA ende nuk ka zyrtar ligjore, kurse 80% të çështjeve janë ku merren vendime shumë të rëndësishme dhe e vështirëson punën tonë. Kjo cështja ende nuk është zgjidhur edhe pse Ministria e Financave e ka aprovuar rritjen e stafit, por ende nuk është bërë angazhimi i ri, por edhe mungesa e zyrtarit të IT-së është shqetësuse. ”, tha ai.

Sipas Lubotenit, në bordin e KShC-së janë disa anëtarë të jashtëligjshëm, pasi sipas tij, Ligji për Arsimin e Lartë thotë se nuk duhet të ketë 5 anëtarë të një institucioni në bord.

Ndërsa, anëtari i KShC-së, Dukagjin Zeka që kishte dorëzuar në komision një ankesë për disa vendime, tha se janë marrë vendime për akreditim të disa kolegjeve të caktuara në mënyrë të dyshimtë.

“Ka pasur tendencë që në mënyrë retroaktive të kthehen akreditimet, janë regjistruar studentëve në tetor dhe në janar kanë pretenduar se do ta marrin akreditimin. Në mbledhjet e 16-17 janarit ka pasur tendenca të tejkalohet në gjë e tillë në mënyrë ta paligjshme dhe këtë e ka bërë kryetari me ish- drejtorin e Agjencionit të Akreditimit, Avni Gashi”, tha ai.

Kurse, anëtarja tjetër e Komisionit Shtetëror të Cilësisë, Rozafa Koliqi tha se kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni dhe nënkryetarja, Vjollca Krasniqi kanë qenë kundër që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në UP, kurse sipas saj, për kolegjet private nuk kanë qenë kundër.

“Ju keni qenë kundër që të rritet numri i studentëve në UP, por jam befasu, përderisa ju të njëjtit keni aprovuar programe të Kolegjeve Private duke i përzënë edhe mediat dhe duke e mbajtur mbledhjen në një hotel që është ndryshuar edhe lokacioni momentin e fundit dhe nuk keni bërë zë fare. Keni aprovu ekspertë që është thirrë me telefon”, shtoi ajo.

Fjalën në komision e mori edhe drejtori i ri i Agjencionit të Akreditimit, Naim Gashi, i cili tha se procesi i akreditimit nga distanca është duke shkuar në rregull dhe me bazë të ligjeve në fuqi,

“Ne kemi filluar me akreditimin institucional dhe kemi shqyrtuar UP-në, Universitetin e Mitrovicës, Ferizaj do të jemi nesër, Prizrenin e kemi kry dhe Pejën dhe disa private. Me 3 qershor përfundon vlerësimi dhe në mbledhjen e qershorit të KShC-së pritet shqyrtimi”, tha Gashi.

Anëtari i Komisionit për Arsim nga PDK, Sejdi Hoxha, po ashtu ngriti çështjen se pse nuk janë aprovuar 7 procesverbale të mbledhjeve të KShC-së si dhe ngriti dilemën e ndarjes së KShC-së në dy anë.

“Kjo ndarje e juaja nuk i bënë nder këtij institucioni. Një letër na keni dërgu ju si kryetar, një letër tre anëtarë dhe ne s’po dijmë kujt t’i besojmë. 7 procesverbale nuk janë aprovuar, pse ka ndodhur kjo si dhe pse ka vonesë të përzgjedhjes së ekspertëve”, tha Hoxha.

Anëtari tjetër i Komisionit për Arsim, Shpejtim Bullqi tha se çështjet e ngritura nga ana e tre anëtarëve të KShC-së dhe anëtareve të komisionit, nuk u kundërshtuan nga kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni, duke kërkuar dorëheqjen e tyre.

“Nëse ju jepet përparësi privateve, atëherë s’koka në rregull kjo. Një raport na keni dërgu ju si kryetar, a është aprovuar ky raport nga anëtarët e KShC-së. Kur i dëgjoj krejt këto probleme, Kuvendi s’duhet mi mbajt më këta. Na duhet me kërku dorëheqjen tuaj, kjo nuk është në rregull”, tha ai.

Edhe anëtarja e komisionit për Arsim, Arbërie Nagavci, ngriti çështjen e angazhimit të ekspertëve në akreditim të institucioneve të Arsimit të Lartë.

“Ne kërkojmë raport të plotë se cila është arsyeja pse është vonu votimi i listës së ekspertëve dhe çka ka ndodhur me profilet mjekësore të kolegjeve private”, tha ajo.

Anëtari tjetër Frashër Demaj tha se nuk duhet të bëhen paragjykime mes institucioneve të arsimit të lartë privat dhe publik.

Kurse, anëtari i komisionit për Arsim nga LVV, Fitim Uka tha se kanë pranuar raport nga ana e kryetarit të KShC-së, Gazmend Luboteni pak minuta para së të fillojë mbledhja.

“Kemi pranuar një raport goxha vonë, pak minuta pra se të fillojë mbledhja e sotme. Raporti po del që nuk është miratuar prej KShC-së. Të paktën raportet të jenë një raport dhe të ketë një lloj opinioni që janë te kundërta. Nuk jemi për mu ju pajtu juve, por zgjidhja më e mire është respektimi i rregulloreve dhe parimeve që jeni votuar, andaj kërkojmë nga ju përgjigje për të gjitha pyetjet që i kemi adresuar”, tha Uka.

Anëtarja e Komisionit për Arsim nga PDK, Eliza Hoxha kërkoi të dij se a janë njoftuar të gjitha institucionet për ndryshimin e udhëzimit administrativ gjatë vitit të kaluar për ri aplikim për akreditim, që u mundëson institucioneve të aplikojnë brenda 90 ditësh.

Anëtarja e këtij komisioni nga Nisma, Albulena Balaj Halimaj tha se mos bashkëpunimi i anëtarëve të KShC-së në mes vete, ndikon në vendimet që i marrin.

“Është mirë me bisedu se çka tutje me këtë Këshill, mos bashkëpunimi i tyre është keq për arsimin, kush  mundet me garantu që nesër për inate personale dikush tjetër pëson, është mirë që këto probleme të zgjidhen sa më parë”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni në lidhje me ndryshimin  e udhëzimit administrativ për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë nga ish-ministri, Shyqiri Bytyqi, tha se është i publikuar në uebfaqe të MAShT-it.

“Nuk kemi nevojë që të informojmë asnjë institucion sepse është publik në uebfaqe të MAShTI-it”, tha ai para anëtarëve të komisionit.

Në këtë mbledhje më pas është vendosur që anëtarët e Komisionit për Arsim të mbledhen një ditë tjetër dhe të vendosin se çfarë duhet bërë më tej, derisa kërkuan përgjigje me shkrim drejtuar Këshillit Shtetëror të Cilësisë për të gjitha pyetjet e ngritura.