Këshilli Shtetëror i Cilësisë, në Agjencinë e Kosovës për Akreditim Foto: KALLXO.com

Këshilli Shtetëror i Cilësisë miratoi rregulloren e Komisionit të Ankesave

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), sot ka miratuar rregulloren e Komisionit të Ankesave (KA) në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).

Në mbledhjen e 72-të të KSHC-së, me tetë vota pro, u votua dhe u miratua rregullorja me të cilën Komisioni i Ankesave (KA) do të fillojë rishqyrtimin e ankesave nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vendin tonë.

Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mbledhjen e kaluar, kishte kërkuar që të pezullohet rregullorja me të cilën kishte qenë duke punuar Komisioni i Ankesave, si dhe kishin kërkuar interpretim të Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, mbi kompetencat e këtij komisioni.

E gjithë kjo kishte ndodhur, kur Bordi ishte informuar se nuk e kanë votuar asnjëherë versionin përfundimtar të kësaj rregulloreje, si dhe pas informimit se Komisioni i Ankesave, kishte filluar të jap vendime për kthimin e akreditimit të programeve studimore.

Në interpretimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, drejtuar Agjencisë së Kosovës për Akreditim, thuhet se Neni 22 i këtij Udhëzimi Administrativ, i cili flet për të drejtën ankimore, nuk i jep të drejtë Komisionit të Ankesave që të jap ose heq akreditimin.

“Këshilli është organi më i lartë vendimmarrës, i cili, ndërmjet tjerash, është i veshur me kompetencë lëndore për të dhënë ose hequr akreditimin e programeve, bartësve të arsimit të lartë. Prandaj Komisioni i Ankesave i parashikuar në Nenin 22 të Udhëzimit Administrativ 15/2018, gëzon thjeshtë dhe vetëm mandat të shqyrtimit të procedurës së vendimmarrjes në instancë të dytë, dhe në rastet kur gjen një shkelje të tillë, i rikthen Këshillit rastin për rivendosje në meritë”, thuhet në interpretim.

Sipas këtij interpretimi ligjor, kompetenca e Komisionit të Ankesave është shqyrtimi i ankesave të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat, dhe nëse gjen shkelje procedurale gjatë trajtimit të aplikimeve për akreditim, t’ia kthejë në shqyrtim Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Tutje është kërkuar që vendimet e deritanishme të marra nga Komisioni i Ankesave, të kthehen në rishqyrtim.

”Çdo vendim që është lëshuar nga Komisioni i Ankesave duhet rikthyer në vendosje dhe atë vetëm pasi KSHC të ketë nxjerrë Rregulloren e Ankesave. Çfarëdo vendimi i nxjerrë pa bazë juridike të përcaktuar në Nenin 22, pika 4 të Udhëzimit duhet trajtuar si i paligjshëm, dhe në pajtim me parimin e ligjshmërisë, i paqenë”, është thënë më tutje në interpretimin ligjor nga MAShT.

KALLXO.com është informuar se me pranimin e kësaj rregullore, Komisioni i Ankesave do të fillojë me rishqyrtimin e menjëhershëm të ankesave nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë.

Pjesë e grupit punues për rregulloren përfundimtare të Komisionit të Ankesave, ishin profesoresha Vjollca Krasniqi, profesori Dukagjin Zeka dhe Jeffery Butel.

KALLXO.com kishte raportuar muajin e kaluar kur Këshilli Shtetëror i Cilësisë, kishte pezulluar punën e Komisionit të Ankesave, deri në miratimin e një rregulloreje për punën e tyre.

 

https://kallxo.com/keshilli-shteteror-i-cilesise-pezullon-punen-e-komisionit-te-ankesave/

 

.