KPK - Arkiv

Këshilli Prokurorial të pakënaqur me koeficientin për paga

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kundërshtuar koeficientin për paga, të caktuar nga Qeveria e Kosovës.

Koeficienti për paga sipas KPK-së vërteton që janë prekur ndjeshëm pagat e prokurorëve dhe një pjese të stafit të administratës.

“Sot, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë, faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës”- thuhet në reagimin e KPK-së.

“KPK konstaton përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial”- thuhet tutje në reagimin e KPK-së.

Sipas Këshillit Prokurorial edhe pse këta të fundit kanë marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme në grupet punuese gjatë hartimit të ligjit për paga, komentet dhe propozimet e tyre nuk janë marrë parasysh.

Me miratimin e koeficientit të pagave pritet të përgjysmohen pagat në sistemin e drejtësisë.

Nga 3,450 euro sa aktualisht marrin Kryeprokurori i Shtetit dhe kryetari i Gjykatës Supreme, me Ligjin e ri për paga pritet të jetë 1,785 euro apo 1,665 euro më pak.

Ulje vërehet edhe në pagat e prokurorëve special.

Nga rreth 3 mijë euro sa aktualisht marrin, me ligjin e ri paga e tyre pritet t’i marrin rreth 1,627 euro apo 1,373 euro më pak.

Ulje vërehet edhe në pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjykatat themelore.

Nga rreth 2 mijë sa aktualisht marrin, pagat e tyre pritet të ulën në 1260 euro apo 740 euro më pak.

Kjo ulje u konfirmua me publikimin e vlerës së koeficientit nga Qeveria e Kosovës. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro ndërsa në vitin e ardhshëm 110 euro.

Pagat e gjyqësorit ishin ulur gjatë muajit nëntor të vitit 2022, përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës me të cilin ishte anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj, i cili kishte rritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Mirëpo më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sikurse në vitin 2017.

Më pas duke vendosur sipas propozimit të sindikatës së prokurorëve, Gjykata e Prishtinës dhe ajo e Apelit e kishin pezulluar vendimin e qeverisë duke i lënë në fuqi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas vendimit të qeverisë Haradinaj.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.

Reagimi i plotë i KPK-së:

KPK kundërshton koeficientin e caktuar nga Qeveria e Kosovës

Prishtinë, 1 shkurt 2023 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), njofton opinionin publik se në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse.

Rrjedhimisht, sot, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë, faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës.

Më ketë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

KPK konstaton përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial, ngaqë pretendimet e ngritura me kohë janë të mbështetura në aktet, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të cenojnë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti.