Foto: KPK

Këshilli Prokurorial: Të pabaza pretendimet e zv.ministrit Sallahu rreth vendimit për kompensimin e ekspertëve mjeko-ligjorë

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar sot se kanë denoncuar në organet e drejtësisë një vendim në lidhje me kompensimin e ekspertëve mjeko-ligjorë.

Ai tha se kanë denoncuar mosnxjerrjen e akteve të reja nënligjore pas hyrjes në fuqi të Ligjit për mjekësinë ligjore në vitin 2016.

“Në vitin 2016, konkretisht më 6 prill ka hyrë në fuqi Ligji i ri për mjekësinë ligjore me ç’rast ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që kanë qenë të bazuara në ligjin paraprak. Në vitin 2017, Këshilli Prokurorial përmes një letre kishte njoftuar ministren e asaj kohe, Dhurata Hoxha se udhëzimi që rregullon kompensimin jashtë orarit të punës të ekspertëve mjeko-ligjorë kishte vazhduar të bazohet në ligjin që ishte shfuqizuar dhe jo në ligjin e ri të vitit 2016. Por ajo e kishte injoruar këtë letër dhe nuk kishte ndryshuar asgjë”, tha ai.

Ndaj kësaj ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës duke i quajtur  të pabaza deklaratat e Sallahut.

KPK e ka quajtur denigruese konferencën për media të zëvendësministrit të Drejtësisë, duke shtuar se ky institucion nuk ka bërë asnjëherë pagesa të ekspertëve mjeko-ligjorë dhe as nuk ka selektuar të njëjtit.

“Nuk qëndron pretendimi se prokurorët i përzgjedhin ekspertët e mjekësisë ligjore, sepse të njëjtit i cakton Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në reagim.

Tutje, KPK tha se është kompetencë e Qeverisë plotësim-ndryshimi i ligjeve duke kërkuar që faji të mos hidhet te Këshilli Prokurorial.

“Pasi që Udhëzimi Administrativ nr. 07/2013 për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të ekspertëve mjekoligjorë nuk është shfuqizuar apo nuk është bërë plotësim-ndryshimi i të njëjtit, kompetencë kjo që tërësisht është e Qeverisë së Republikës së Kosovës, KPK-ja ka qenë e obliguar ligjërisht për realizimin e pagesave me aktet nënligjore në fuqi, me qëllim të vazhdimit të përmbushjes së mandatit kushtetues dhe ligjor të Prokurorit të Shtetit”, vazhdon reagimi.

Dhurata Hoxha flet pas denoncimit që Blerim Sallahu e bëri për ‘dëmin milionësh’