Këshilli Prokurorial: Prokuroritë do të fillojnë punën me kapacitete të plota

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton se duke filluar nga e hëna, të gjitha prokuroritë në vend do të rifillojnë punën me kapacitete të plota.

Në njoftim thuhet se pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta mes KPK-së dhe Qeverisë së Kosovës do të vazhdojë deri në një vendim tjetër, ndërsa KPK dhe prokuroritë do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

“Ky vendim i KPK-së vjen pas Aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila ka aprovuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve”- thuhet në njoftim.

KPK i ka bërë thirrje Qeverisë që të shfuqizojë vendimin e datës 23 nëntor, për zvogëlimin e pagave të prokurorëve.

Gjykata e Prishtinës sot ka vendosur që të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve kundër Qeverisë, Gjykata ka vendosur që të caktojë masën e sigurisë dhe të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Shoqatës së Prokurorëve për caktim të masës së sigurisë si të pabazuar dhe me këtë vendim ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë.

Në mbledhjen e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata.

Që nga pezullimi i punës janë anuluar dhe kanë dështuar qindra seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës.