Këshilli Prokurorial pa informacione se pse u shoqërua në Polici Lavdim Krasniqi

Këshilli Prokurorial i Kosovës ende nuk ka informacione të sakta se pse është shoqëruar në Polici drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi.

Kështu të paktën ka thënë në një bisedë telefonike për KALLXO.com zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani.

“Jemi të informuar vetëm për shoqërim, asgjë tjetër”, tha Shabani.

Ai shtoi se janë në pritje të një vendimi nëse Krasniqi do të arrestohet apo jo e më pas të vendosin për procedurat e mëtutjeshme.

Tutje ai shtoi se deri më tani nuk është mbledhur Këshilli Prokurorial i Kosovës për të diskutuar në lidhje me shoqërimin e Krasniqit në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se Krasniqi ishte shoqëruar në polici më saktësisht në Departamentin e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit nën dyshimin se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare bashkë me një person tjetër.

 

Drejtori i Sekretariatit të KPK-së po dyshohet për vepër korruptive