Këshilli Prokurorial i Kosovës: Do merren masa ndaj anëtarëve të komisionit për konkursin ku u shpërndanë pyetje të testit

Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK) përmes një komunikate ka njoftuar se do merren veprimet e nevojshme ligjore ndaj antarëve të komisionit vlerësues në procesin e konkursit për bashkëpunëtorë profesional për prokuroritë themelore në Gjakovë, Pejë dhe Prizren.

Një vendim i tillë erdhi pas publikimit të KALLXO.com ku kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala dërgoi pyetje të testit tek një gazetare e redaksisë, të cilat dyshohet se kishin qëllim një kandidat në konkurs.

Këshilli Prokurorial po ashtu ka bërë të ditur se ky konkurs do anulohet në tërësi dhe do kthehet në pikën zero.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të KPK-së:

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dyshimet e ngritura në media për shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesional nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala.

Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron opinionin publik se pas kërkesës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit si autoritet kompetent dhe, në bazë të autorizimeve që ka, do t’i fillojë procedurat ligjore ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Po ashtu, edhe U.D Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, njofton opinionin publik se do të anulohet në tërësi konkursi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional për prokuroritë themelore në Gjakovë, Pejë dhe Prizren duke e kthyer atë në pikën zero.

Për më tepër, U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, në bazë të autorizimeve të tij, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj anëtarëve të komisionit të këtij procesi”

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – VIDEO